Argument

Mos prisni ndjesë apo largqoftë dorëheqje nga Olta Xhaçka

Nga Beti Njuma

“Jemi të kënaqur me 50 viktima!” vetëm për këtë deklaratë dha dorëheqjen kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako duke kërkuar falje për një lapsus që sigurisht kishte parasysh faktin që bilanci i tragjedisë së tërmetit mund të kishte qenë edhe më i rëndë.

Tjetër socialist që dha dorëheqjen ishte bashkiaku i Kukësit Safet Gjici pas aferës seksuale në zyrën e tij. Përveç këtyre dy dorëheqjeve që kanë të bëjnë me njëra me vdekjen dhe tjetra me seksin, kujtesa ime nuk sjell dot ndërmend ndonjë dorëheqje tjetër në radhët e socialistëve që të ketë tjetër standard moral. Kot pritëm nga Erion Veliaj dorëheqjen kur foli në mënyrë përçmuese për konviktorët duke thënë: “Qytetarët janë ndryshe, nuk janë si konviktorët!” apo etiketimi “zdromsa” për djemtë shqiptarë, apo akoma fyerja për qytetarët e Tiranës si “shpellarë, pa rrënjë në këtë qytet”.

Prandaj mos prisni ndjesë apo largqoftë dorëheqje nga Olta Xhaçka për fjalinë e neveritshme “Plazhin e duam që mos të na vijë dikush nga mali e të na vërë çadrën”. Ky është mentaliteti i deputetëve e ministrave socialistë dhe investitorëve të tyre strategjikë. Shikojini si dhe ku jetojnë, në “fshatra” privatë të rrethuar nga mure e hekura të lartë, larg syve të publikut, atyre njerëzve që u përgjërohen për vota e se u shërbejnë me devotshmëri Ata nuk bëjnë gafa por janë tjesht të sinqertë sepse janë mësuar që ç’u sheh syri ta fusin në xhep. Të rrëmbejnë çdo truall publik, çdo pëllëmbë tokë e bregdet të lirë e ta konsiderojnë personale në emër të një pushteti që mjerisht, edhe atë e vjedhin!

Rruga Press

YouTube player