Mos e mbivlerësoni aleancën autokratike, Washingtoni ende ka leva të rëndësishme mbi Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë
Shkruan Patricia M. Kim për Foreign Affairs, përkthyer dhe përmbledhur nga Rruga Press
Pamja e Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Kim Jong Un duke ecur së bashku në paradën ushtarake të Kinës u mendua si shfaqje e një fronti të bashkuar kundër SHBA-së. Por pas këtij imazhi fshihet një aleancë e brishtë, e ndërtuar mbi interesa të përkohshme dhe jo mbi besim. Historia ka treguar se Pekini, Moska dhe Pheniani nuk janë aleatë natyralë – secili ka dyshime të thella ndaj tjetrit dhe nuk pranon të sakrifikojë interesat kombëtare për solidaritet ideologjik.
Shembulli i Luftës së Koresë, që rezultoi i kushtueshëm për Kinën dhe shkatërrues për Korenë e Veriut, është dëshmi e tensioneve të hershme. Në dekadat pasuese, këto vende shpesh janë përplasur dhe kanë konkurruar për ndikim, duke e përdorur njëri-tjetrin më shumë se sa duke ndërtuar besim.
Edhe sot, bashkimi i tyre mbështetet në armiqësinë e përbashkët ndaj Perëndimit. Kina mbështet Rusinë ekonomikisht, por me kujdes për të shmangur dëme të mëdha në marrëdhëniet me Perëndimin. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e ngushta të Moskës me Penianin, përfshirë shkëmbimin e armëve dhe teknologjisë, e shqetësojnë Pekinin, i cili frikësohet se nuk do ta kontrollojë dot agresivitetin e Koresë së Veriut.
Pavarësisht shfaqjes së unitetit, secili nga këta tre udhëheqës kërkon diçka nga SHBA:
- Kina kërkon stabilitet ekonomik dhe marrëdhënie të qëndrueshme tregtare.
- Rusia, në planin afatgjatë, do të ketë nevojë për një rrugëdalje nga lufta e kushtueshme në Ukrainë.
- Koreja e Veriut kërkon njohje dhe lehtësim sanksionesh që vetëm Uashingtoni mund të ofrojë.
Për SHBA-në kjo do të thotë se ende ka hapësirë për manovrim. Nëse përdor me kujdes levat e saj ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë, Uashingtoni mund të ndikojë mbi secilin prej tyre – duke kushtëzuar marrëveshjet tregtare me Kinën, duke rritur presionin ekonomik mbi Rusinë në bashkëpunim me aleatët, dhe duke përdorur diplomacinë për të tërhequr Korenë e Veriut në negociata serioze.
Momenti i paradës në Pekin ishte i dizajnuar për të trembur SHBA-në. Por realiteti është se aleanca mes Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut është më shumë një bashkim i interesave të përkohshme sesa një front i pathyeshëm. SHBA-ja, nëse vepron me maturi dhe vendosmëri, ka ende mjetet për të ndikuar dhe për të formësuar rrethanat strategjike botërore.

