Lajme

Monumenti i Adem Jasharit në Horën e Arbëreshëve – Kryetari Rosario Petta pret komisionin qeveritar të Kosovës dhe diskutojnë projektin

Hora e Arbëreshëve në Itali ka mirëpritur komisionin qeveritar nga Republika e Kosovës, në një vizitë që vlerësohet si hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe kulturor ndërmjet Kosovës dhe komunitetit arbëresh në Itali.

Komisioni Institucional i Qeverisë së Kosovës, i përbërë nga krzetarja Arlinda Hajrullahu, profesionistë dhe profesorë universitarë, u prit nga Kryetari i Komunës së Horës së Arbëreshëve, Rosario Petta, së bashku me përfaqësues të administratës komunale, në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese.

Gjatë qëndrimit në këtë qendër historike të arbëreshëve, delegacioni nga Kosova u njoh nga afër me historinë, traditat dhe përkushtimin shekullor të komunitetit për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar. Të ftuarit shprehën vlerësim të thellë për aftësinë e komunitetit arbëresh për të ruajtur dhe transmetuar ndër breza origjinën e tij shqiptare.

Lexo më shumë  Fonde publike në rrezik/ Tenderat 47.7 milionë euro të AKSHI-t për vitin 2026 nën hijen e hetimeve të SPAK-ut

Kryetari i kësaj Komune, Rossario Petta tha se nga momentet më domethënëse të vizitës ishte ndalesa në Eparki dhe në Katedralen “Shën Dhimitri”, ku u theksua rëndësia e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të zonës. Delegacioni u prit edhe nga Ipeshkvi Raffaele De Angelis, i cili ofroi mikpritje të ngrohtë dhe theksoi vlerat identitare që përfaqëson kjo trevë.

Më tutje, ai shprehet se vizita u karakterizua nga takime intensive dhe diskutime konkrete për zhvillimin e projekteve të përbashkëta institucionale dhe kulturore ndërmjet Horës së Arbëreshëve dhe Qeverisë së Kosovës. Në kuadër të këtyre diskutimeve, u prezantua edhe propozimi për realizimin e një monumenti në kujtim të heroit kombëtar Adem Jashari në territorin e komunës.

Lexo më shumë  (VIDEO LIVE) Nis protesta e opozitës përballë kryeministrisë

Kjo vizitë rikonfirmon rolin e Horës së Arbëreshëve si urë lidhëse mes Italisë dhe botës shqiptare, si dhe si një qendër e rëndësishme dialogu, kulture dhe miqësie ndërkombëtare, në vëmendjen e institucioneve dhe shteteve evropiane.

Rruga Press

YouTube player