“Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Mitrovicë ka mbajtur një konferencë për media para objektit të Komunës së Mitrovicës.
Në këtë konferencë për media kanë marrë pjesë deputeti i Vetëvendosjes (VV) dhe njëkohësisht kryetari i degës së VV-së në Mitrovicë, Armend Muja, deputetja Arjeta Fejza, asamblisti i VV-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Faruk Mujka e aktivistë të kësaj partie politike.
Aktivistët e VV-së e kanë shpallur në kërkim kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, duke vendosur pankartë tek objekti i komunës me mbishkrimin “Mitrovica pa kryetar, ku është Bedri Hamza?”. Ngjitur me këtë mbishkrim qëndronte imazhi i kryetarit Hamza së bashku me mbishkrimin tjetër “Kërkohet”.
Sipas përfaqësuesve të VV-së, për këtë morën shkas nga mungesa e kryetarit Hamza në emisionin “Jeta në Komunë”, ku sipas Mujës ishte ndoshta hera e parë që një kryetar komune “dezerton” nga ballafaqimi me asamblistët.
Deputeti i VV-së, Armend Muja ka thënë se Mitrovica tashmë e një vit është “pa kryetar komune”.
“Mitrovica ka një vit e sa që është pa kryetar komune. Ne morrëm shkas nga debati i fundit që u mbajt nga Kallxo.com, ishte ndoshta hera e parë që një kryetar komune dezerton nga ballafaqimi me asamblistët”, ka thënë Muja.
Tutje ai u shpreh se Hamza ka qenë i tërhequr nga zhvillimet në veri, siç tha ai, “sikur të ishte mysafir në qytetin ku ai qeveris”.
“Ngjarjet në Mitrovicë, sidomos në tri vitet e fundit kanë qenë jashtëzakonisht dinamike në aspektin politik dhe social. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, z.Bedri Hamza ka qenë përgjithësisht dhe kryesisht i tërhequr, i distancuar nga zhvillimet sikur të ishte mysafir në qytetin ku ai qeveris”, ka thënë Muja.
Ai ka shtuar se Hamza nuk ka bërë “asnjë përpjekje minimale për t’u solidarizuar me gjendjen në veri”.
Madje sipas tij, Hamza ka refuzuar edhe të takohet me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.
Deputeti i VV-së gjithashtu shtoi se kanë vërejtur përpjekjet e Hamzës për “t’i ikur përgjegjësisë së të kaluarës së tij politike” dhe se sipas tij, kryetari jeton në Mitrovicë “sikur të mos ishte i vetëdijshëm për zhvillimet”.
“Mendoj që mitrovicasit dhe qytetarët në përgjithësi duhet të informohen, është papërgjegjësi e skajshme politike…Ne jemi përpjekur maksimalisht, me durim maksimal, me korrektësi maksimale që aty ku ka pasur mundësi përputhje dhe ndërthurje, ta ndihmojmë për hir të qytetarëve. Ka qenë totalisht jo-kompetent, ngjashëm sikur kur ka qenë minister i Financave, me premtime të mëdha, sikur në rastin e fushatave që bënte premtime për 200 mijë vende pune, për 30 për qind rritje pagash. Ngjashëm si një program i tërë i zhvillimit ekonomik lokal që pothuajse është inegzistent me mënyrën e jetesës”, ka theksuar Muja.
Ndërsa, asamblisti i VV-së, Faruk Mujka ka thënë se ishte habitur me “numrin e madh” të premtimeve që kishte bërë Hamza gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021.
“Unë fillimisht jam habitur me numrin e madh të premtimeve që kishte bërë z.Hamza gjatë fushatës në vitin 2021. Por pasi analizova në hulumtimin e GAP-it, realisht kishin qenë 10 ose 15 premtime të realizuara por të sekuencuara në mënyrë që të duken më shumë, e pastaj siç thotë populli me mujtë me ‘çaporitë’ në secilin premtim nga pak që të bëhen sa më shumë dhe sa më mirë”, u shpreh Mujka.
Më tej, ai tha se instituti GAP “nuk ishte serioz”.
“Më shumë u habita me mos-seriozitetin e GAP-it, i cili raportimet e Z.Hamzës apo kushdo që i ka përgatitur i merr si të mirëqena dhe pa i analizuar mirë”, ka thënë ai.
Rruga Press