Misione të pashpjeguara të flotës kineze shqetësojnë Zelandën e Re: përfshirë “anijen më të fuqishme” të Pekinit
Zelanda e Re ka shprehur shqetësim pas pranisë së tre anijeve luftarake kineze pranë kufijve të saj dhe të Australisë, gjatë misioneve të përshkruara si “të paprecedentë” dhe “të pashpjeguar” në Paqësorin Jugor. Lajmi u bë publik nga dokumente të ushtrisë zelandeze të siguruara nga agjencia AFP, transmeton Rruga Press.
Në shkurt, këto anije kaluan nëpër Detin e Tasmanisë, që ndan Zelandën e Re nga Australia. Sipas Wellingtonit, mes tyre ishte edhe një destroyer i klasës Renhai, i konsideruar si një nga anijet luftarake më të avancuara në botë dhe “mjeti më i fuqishëm i luftës në sipërfaqe” i flotës kineze. Ky ishte vetëm rasti i dytë që një anije e tillë shihej në Paqësorin Jugor, pas një rasti të parë në tetor 2024.
“Ne nuk kemi parë kurrë më parë anije të tilla kaq afër brigjeve tona – të pajisura për luftë ajrore, tokësore dhe detare”, theksuan zyrtarë ushtarakë të Zelandës së Re.
Wellingtoni po ashtu bëri të ditur se nuk ishte njoftuar nga qeveria kineze për arsyet e këtij dislokimi në rajon.
Kina forcon praninë në Paqësorin Jugor
Në vitet e fundit, Pekini ka shtuar ndikimin e tij në Paqësorin Jugor, duke u ofruar shteteve ishullore ndihmë në infrastrukturë, spitale dhe projekte kundër ndryshimeve klimatike. Paralelisht, Kina ka rritur edhe demonstratat e forcës ushtarake.
Në shtator 2024, ajo testoi një raketë me aftësi për të mbajtur një ogivë bërthamore, e cila u lëshua drejt Polinezisë – i pari test i një rakete me rreze të gjatë veprimi në ujëra ndërkombëtare në mbi 40 vjet.
Pekini i ka mbrojtur këto veprime, duke i cilësuar si manovra rutinë. Ambasadori kinez në Australi, Xiao Qian, tha në shkurt për median publike ABC:
“Si një fuqi e madhe në këtë rajon, është normale që Kina të dërgojë anije në pjesë të ndryshme të Paqësorit.”
Rruga Press

