Sport

Mirlind Daku shpreson të jetë gati ndaj Polonisë

Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, të enjten ka publikuar një fotografi duke vrapuar i vetëm me fanellën e Rubin Kazanit. Por shumë shpejt, Daku do t’i bashkohet pjesës tjetër të lojtarëve të klubit elitar të Rusisë. Madje, ka shpresë të paraqitet disa minuta në ndeshjen e 22 marsit kundër Krylya Sovertovit, katër ditë para ndeshjes që Shqipëria e luan kundër Polonisë.

Shqipëria më 26 mars luan në Varshavë kundër Polonisë në gjysmëfinale të plejofit të Kupës së Botës 2026.

Daku shpreson të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj polakëve.

Ai ka theksuar të enjten për KOHËN se rikuperimi ka shkuar mirë. Daku i mungoi gjatë Rubin Kazanit shkaku i lëndimit. Ekipit nga Kazani i mungoi nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar.

Por ai është pranë kthimit nga lëndimi që e mbajti gjatë jashtë fushave të futbollit.

“Rikuperimi ka shkuar mirë, ndërsa tash po pres që ditëve në vijim t’i kthehem punës me grupin. Besoj se do të kthehem para grumbullimit të Shqipërisë. Por do të shohim se a do të jemi 100 % apo jo”, ka thënë Daku për KOHËN të enjten.

Daku 28-vjeçar është sulmuesi kryesor i Rubin Kazanit. Rol të rëndësishëm ka luajtur edhe te Shqipëria.

Daku e nisi mirë edicionin. Shënoi nëntë gola për 17 ndeshje. Mungesën e Dakut e ka ndjerë edhe Rubin Kazani. Ka pasur vazhdimisht deklarata për rëndësinë që Daku ka te skuadra ruse.

Vetë Daku thotë se i ka munguar shumë fusha e futbollit.

“Futbolli më ka munguar shumë. Por po presim tash se sa jemi në gjendje të mirë fizike, sepse dy muaj pa vrapime dhe pa duele, normalisht që është më ndryshe. Do të shohim a mund të kthehem për disa minuta në ndeshjen para grumbullimit të Shqipërisë”, është shprehur Daku.

Me fanellën e Shqipërisë, sulmuesi nga Gjilani është paraqitur 15 herë. Ai ka realizuar një gol. Golin e vetëm e ka shënuar pikërisht ndaj Polonisë në fitoren 2:0 në Tiranë më 10 shtator.

Ndeshja Shqipëri – Poloni i takoi kualifikimeve për Euro 2024.

Daku ka besim se Shqipëria mund ta mposhtë Poloninë.

“Gjasat janë gjithmonë reale dhe jemi optimistë. Gjithmonë besoj te djemtë që kemi të dalim faqebardhë nga ndeshja me Poloninë”, ka thënë Daku.

Daku ka luajtur tashmë në një ngjarje të madhe të futbollit. Ai u paraqit në ndeshjen kundër Kroacisë në Evropianin e vitit 2024. Me Shqipërinë shpreson të paraqitet edhe në Botërorin që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

YouTube player