KryesoreLajme

Miratohet rregullorja për rabatin, ministri Çeku: Kosova do të bëhet destinacion për prodhimtari filmike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme (e mërkurë) ka miratuar Rregullore të re për të Drejtat në Rabat, duke e cilësuar këtë si etapë të re për industrinë kinematografike në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo rregullore do ta bëjë Kosovën destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon.

I njëjti instrument do të aplikohet po ashtu edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.

Reagimi i plotë i Kurtit:

“Nga sot fillon një etapë e re për industrinë e kinematografisë në vend. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi miratuar rregulloren për të drejtën në rabat, instrument që synon të tërheqë investime të huaja në Kosovë.

Kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë që të xhirojnë projektet e tyre filmike në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30% të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore. I njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.

Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është e pranishme dhe e gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele ende më të larta. Me rabatin nuk synojmë vetëm mbështetje, por investim direkt në talentin kreativ vendor. E në të njëjtën kohë, është edhe ftesë për botën që të vijnë e të krijojmë së bashku në Kosovën tonë.

Urime gjithë komunitetit të kineastëve dhe ju priftë e mbara në bashkëpunimet që do të vijojnë”.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, tha se miratimi i kësaj rregullore “padyshim se do të nisë një etapë të re”.

Lexo më shumë  Përgatituni t’ia uroni Albinit fitoren, si Trumpit, dhe mos t’ju mbysë xhelozia!

“Me rabatin, sigurohet që 30 për qind e shpenzimeve të pranuara t’i kthehen direkt investuesit të huaj: shpenzime që bëhen në shërbime dhe fuqi punëtore lokale. Kjo nuk është vetëm për filma dhe seriale por edhe për video-klipe muzikore, reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave”, theksoi Çeku.

Duhet vënë në pah që rabati në Kosovë është përcaktuar deri në 30 për qind të shpenzimeve të pranueshme ku përfshihen burimet njerëzore, shërbimet dhe mallrat e përdorura dhe konsumuara në Kosovë.

YouTube player