Lajme

Miratohet ligji për lehtësime doganore mes Kosovës dhe Shqipërisë

Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësive doganore dhe të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.

Projektligji për këtë marrëveshje është miratuar fillimisht në mbledhjen e 56-të të qeverisë së Kosovës, më datë 26 janar 2022.

“Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësive doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave, është miratuar në mbledhjen e 56 – të Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendimin Nr.02/56 të datës 26.01.2022”.

Ky Ligj ka për qëllim që të ratifikojë Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësive doganore.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Në Shtojcën e këtij Ligji është e bashkëngjitur teksti i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.

Ligji hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Gjatë muajit janar edhe Qeveria e Shqipërisë ka miratuar projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës për zbatimin e lehtësive doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve së mallrave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se, “marrëveshja e bashkëpunimit që miratuam sot, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës synon zbatimin e lehtësirave reciproke të ndërsjellta në procedurat doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve të mallrave”.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Sipas saj, kjo është një marrëveshje e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa sot kjo marrëveshje shkon në Parlament me qëllim lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve tona duke njohur të gjitha licencat që ndodhen në pikat doganore, duke unifikuar kontrollet e vetëm një vendi, duke ulur kohën e kontrollit.

Ibrahimaj tha se, “marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit dhe lehtësitë që ajo do të sjelli. Gjithashtu kjo marrëveshje njeh disa protokolle që do t’i hapin rrugë hapjes së pikave të tjera doganore të Kosovës në Republikën e Shqipërisë”./MONITOR

YouTube player