KryesoreLajme

Ministrja Rizvanolli jep lajmin se mbyllet kompania paralele e ujësjellësit dhe mbeturinave në Shtërpcë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën ka bërë të ditur se autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës.

Kompania “Novo Javno Preduzeće”, e cila ofronte shërbime të ujësjellësit dhe menaxhimit të mbeturinave, është ndërprerë nga operimi pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Rizvanolli deklaroi se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit nuk kanë vend në territorin e Kosovës.

“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi përgjegjësi ta formojmë Qeverinë, jo konstituimin e Kuvendit

Ajo shtoi se Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit dhe shërbimin e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Ministrja falënderoi Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe u bëri thirrje organeve të hetuesisë që të nisin hetime të menjëhershme rreth dëmeve dhe përfitimeve të mundshme të shkaktuara nga kjo kompani e jashtëligjshme.

Për mbylljen ka njoftuar edhe Policia e Kosovës. 

“Policia e Kosovës, pas kërkesës së pranuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe në koordinim me institucionet përkatëse, ka asistuar sot në inspektimin dhe mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë i cili ka operuar në komunën e Shtërpcës, saktësisht të kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave e cila ka funksionuar nën juridiksionin e Serbisë. Policia e Kosovës me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrje. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saj, me qëllim të garantimit të sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe respektimit të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Policia nëpërmjet një postimi në Facebook.

Lexo më shumë  Amerikanët prezantuan një armë të re që zgjedh vetëm objektivat e saj

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se asnjë institucion paralel i Serbisë s’ka vend në Kosovë.

“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë”, ka shkruar ai në Facebook, derisa ka shpërndarë njoftimin e ministres Rizvanolli.

Rruga Press

YouTube player
sqhrenfrdeit