Ministrja Hajdari flet për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën: Mashtrimi është i madh, adresë e rreme me emërtim Gjakovë-Serbi dhe Pejë-Serbi…
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka komentuar sërish sot vendimin për pezullimin e certifikatës për televizionin Klan Kosova.
Hajdari ka thënë se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit dhe se ka ndodhur për shkak të dokumentacioneve me adresë të rreme.
“Detyra e çdo zyrtari publik është të mbrojë Republikën e Kosovës, duke filluar nga emri zyrtar i saj. Dhe duhet ta keni parasysh se për këtë nuk ka kompromis. Më vjen keq që ka ndodhur në biznes që ushtron veprimtari të informimit publik, pra kjo e bën edhe më të rëndë. Por, siç e dini ARBK trajton vetëm rastin e kompanisë si biznes, çështjet e medies si të tillë trajtohen nga Komisioni Pavarur i Medieve dhe as MINT as qeveria, nuk hap media e as nuk mbyll media.
Dhe për më shumë arsyen pse është pezulluar certifikata e biznesit është që të jemi të qartë edhe një herë se dokumentacioni me adresë të rreme, aq më keq me emërtim Gjakovë-Serbi dhe me emërtim Pejë-Serbi është veprim shumë i rëndë përpara ligjit, përpara Kushtetutës dhe aq më shumë mbi të gjitha është shumë e rëndë përpara vendit tonë, është shumë e papërgjegjshme kjo situatë”, ka potencuar ministrja Hajdari.
Ajo ka shtuar se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit, sepse mashtrimi është i madh.
“Në këtë rast e kemi proceduar në organet e hetimit, sepse mashtrimi është tepër i madh. Unë ftoj të gjithë të interesuarit të respektojnë republikën tonë, emërtimet e republikës tonë dhe vazhdojmë tutje së bashku”, ka shtuar ajo.
MINT ka bërë të ditur ditën e djeshme që ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” SHPK. Po ashtu, kjo ministri ka shtuar se ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, deri në një vendim tjetër.
Rruga Press