KryesoreLajme

Ministrja Gërvalla mirëpriti bashkatdhetarë nga e gjithë bota, i falënderoi për forcimin e imazhit të Kosovës

Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mirëpriti mbrëmë ngrohtë në ambientet e MPJD-së bashkatdhetarë nga e gjithë bota, me qëllim vlerësimin e kontributit të tyre të vazhdueshëm për Kosovën.

“Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për rolin e rëndësishëm që mërgata ka luajtur ndër vite në mbështetjen e zhvillimit të vendit dhe forcimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu bëhet me dije se duke folur për punën e Ministrisë në katër vitet e fundit, Gërvalla theksoi se është krenare për përmirësimet e realizuara në ngritjen e shërbimeve për diasporën në ambasada dhe konsullata, duke e bërë më të lehtë dhe më efikase komunikimin dhe shërbimin për qytetarët tanë jashtë vendit.

Lexo më shumë  Nesho: Rama luan lojën e fundit politike duke shitur interesat kombëtare, përdor Kinën si presion ndaj SHBA-së për të shpëtuar veten

“Çështjen e Kosovës në botë nuk mund ta avancojmë vetëm me punën e diplomatëve. Na duhet edhe ndihma e bashkëatdhetarëve tanë, pra ndihma juaj që bashkë ta forcojmë Kosovën,” tha ministrja Gërvalla, theksohet tutje në njoftim.

Gërvalla theksoi mirënjohjen e veçantë, sidomos për veprimtarët e kohës, që në të gjitha fazat, edhe para, edhe pas luftës, nuk rreshtën së ndihmuari Kosovën.

“Unë e di se Kosova pa ju, as nuk do të ishte e lirë, as nuk do të ishte kaq e përparuar dhe qytetarët e Kosovës, pa ju, nuk do ta kishin mirëqenien që kanë sot”, u shpreh ajo.

Ajo ka përmendur mundësitë e shumta që të rinjtë nga diaspora mund të shfrytëzojnë në Kosovë, duke theksuar programet e shumta që mundësojnë praktikat në institucionet e Kosovës.

Në fund, ajo u uroi të gjithë bashkatdhetarëve pushime të këndshme në Kosovë, duke shprehur shpresën se vizitat e tyre do të jenë një mundësi për të forcuar lidhjet me atdheun.

Rruga Press

YouTube player