Uncategorized

Ministrja Gërvalla: E papranueshme tërheqja e pjesshme e Serbisë nga letra e Bërnbiqit

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se është e papranueshme tërheqja e pjesshme e Serbisë nga letra e dërguar në Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar, ku shpreheshin rezerva për Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në Prishtinë, ka thënë se Serbia është tërhequr nga letra e dërguar në dhjetor të vitit të kaluar nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiq dhe se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. Në letër, Serbia ka shprehur rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër. Në atë letër çshtë thënë mes tjerash se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Por, ministrja Gërvalla ka thënë se Serbia nuk është tërhequr edhe nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Këtë ajo e ka konsideruar si të papranueshme. Ministrja e Jashtme ka shpresë se gjërat do të ndryshojnë me njerëzit e rinj që do të vijnë në Bruksel për ta udhëhequr dialogun.

“Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë është se sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më shumë që ata çlirohen nga ndikimi i bandave kriminale dhe mundohen t’i kthehen jetës normale e integrimit në shoqërinë tonë, aq më shumë largohet Serbia nga ai normalizim i ashtuquajtur i synuar në Bruksel. Kemi nevojë për rishikim të procesit në tërësi. Kemi nevojë që personat e rinj që vijnë në Bruksel të kenë strategji se ku çon procesi i negociatave dhe si do të udhëhiqet”, ka thënë Gërvalla.

Sipas saj, do të jetë i vështirë vazhdimi i dialogut me qasjen armiqësore dhe urrejtëse të Serbisë.

“Ne kemi marrëveshje, që të gjitha palët t’i përmbahen zotimeve të tyre por deri tani, Serbia është shumë larg. Me këtë qasje vazhdimisht armiqësore dhe me gjuhë e cila nxit vetëm urrejtje e konflikte, do të jetë e vështirë vazhdimi i procesit në Bruksel. Duhet të presim për njerëzit të rinj që do të vijnë me shpresën se do të kenë vizion më të qartë se si mund të ruhet siguria e brishtë në rajonin tonë”, ka shtuar Gërvalla.

YouTube player