Ministrja e Jashtme e Gjermanisë me helmetë në kokë, viziton linjën e kontaktit në juglindje të Ukrainës
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka vazhduar sot aktivitetet e saja diplomatike në Ukrainë, ku së bashku me ushtarët ukrainas vizitoi të ashtuquajturën linjën e kontaktit në afërsi të Mariupolit në juglindje të Ukrainës.
Duke mbajtur me vete pajisje mbrojtëse siç është helmeta dhe jeleku anti-plumb, Baerbock së bashku me komandantin e ushtrisë ukrainase dhe pjesëtarët e kësaj organizate ushtarake vizitoi vendin Shirokino, ku shkoi për t’u bindur për konfliktin që shpërtheu mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë gjatë vitit 2014, transmeton Telegrafi.
“Bëhet fjalë për një ndjenjë depresive dhe imazh shumë depresiv. Mund të ndjeni se çfarë ka ndodhur këto para disa viteve. Njerëzit kanë humbur gjithçka çfarë kanë pasur. Lodrat e fëmijëve akoma janë në rrugë, e kjo tregon se në mes të Evropës po zhvillohet luftë”, tha Baerbock.
Ministrja gjermane gjatë vizitës edhe një herë theksoi se konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë mund të zgjidhet rrugëve diplomatike, dhe se aktivitetet e saj në Kiev kanë pikërisht këtë qëllim.
“Dua të dërgoj një sinjal të qartë. Ne, së bashku si evropianë, nuk e kthejmë kokën. Nuk i harrojmë njerëzit, fati i të cilëve bëhet fjalë në këtë konflikt. Qëndrojmë pranë Ukrainës”, porosita shefja e diplomacisë gjermane.
Rruga Press