Ministrja austriake për Evropën: Është koha që Kosovës përfundimisht t’i hiqen vizat
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është duke qëndruar për vizitë në Austri. Së fundmi ajo është takuar me ministren austriake për Evropë dhe Kushtetutë, Karoline Edtstadler.
Kjo e fundit gjatë takimit u shpreh se dialogu Kosovë-Serbi është krucial jo vetëm për stabilitetin në rajon, por gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Shkëmbime të shkëlqyera me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla. Dialogu Prishtinë-Beograd është krucial jo vetëm për stabilitetin në rajon, por gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Edtstadler në Twitter.
Ajo më tej ka theksuar se shpreson për një progres të shpejt në çështjet me rëndësi praktike për qytetarët në të dy shtetet në mënyrë që të ndërtohet besimi i ndërsjellë.
Edtstadler ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave ku tha se Kosova është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor që përballet me regjim të vizave.
“Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret për liberalizimin e vizave dhe Parlamenti i BE-së është shprehur vazhdimisht në favor të liberalizimit të vizave. Është koha që përfundimisht të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën”, shkroi ajo.
Rruga Press