Ministrja Albulena Haxhiu: Qindra dosje për dyshime korrupsioni e Prokuroria asgjë, një lajm diku në portal e menjëherë bastisje në ministri
Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mungesën e reagimit nga Prokuroria për qindra dosje me dyshime për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilat janë dorëzuar nga Qeveria.
Sipas Haxhiut, pavarësisht këtyre denoncimeve, Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret, duke mos kryer as bastisje në institucionet e përfshira. Ajo ka cilësuar këtë si një “heshtje totale” nga organet e drejtësisë.
Ministrja ka ngritur shqetësime për qasjen selektive të drejtësisë, duke vënë në dukje se ndonëse institucionet nuk kanë reaguar ndaj rasteve të dorëzuara nga Qeveria, ato veprojnë menjëherë kur lajmet për çështje të caktuara publikohen në portale dhe gazeta.
“Por mjafton një lajm diku në portale, e menjëherë vrapohet me bastisje në Ministri. Portale e gazeta ka pasur tash e sa kohë, por çështja është a kishte ato kohë Prokurori?!. Përgjigjen e dimë të gjithë”, tha ministrja Haxhiu.
Më pas, ajo shtoi se keqpërdorimet, abuzimet, e shkatërrimet e ndërmarrjeve publike sikurse edhe pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve të lartë ka ndodhur para syve të Prokurorisë. Në fund, ministrja Albulena Haxhiu tha se drejtësia s’duhet të jetë selektive, aq më pak spektakël.
Rruga Press