KryesoreLajme

Ministria e Drejtësisë kërkon masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve që liruan Mefail dhe Edonis Shkodrën

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka reaguar ashpër pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, duke kërkuar nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në lirimin e Mefail dhe Edonis Shkodrës.

Të dy të dyshuarit, aktualisht në arrati, kishin qenë më parë në paraburgim për vepra të rënda penale, përfshirë fajde dhe detyrim, por ishin liruar me dorëzani me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

Lexo më shumë  Protesta në Durrës/ Qytetarët godasin bashkinë me domate dhe letra higjenike

Në komunikatën e MD-së thuhet se:

“Ministria e Drejtësisë është thellësisht e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë. Mefail dhe Edonis Shkodra… ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë… Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme.”

Ministria thekson se përgjegjësia duhet të jetë “e plotë dhe e pakompromis”, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike të ndalin pengesat ndaj reformave në sistemin e drejtësisë.

Sipas MD-së, reforma nuk është luks apo interes politik, por “një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë: pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale”, thuhet në fund të reagimit.

YouTube player