Ministria e Bujqësisë demanton lajmet e “Hibridave”, mohon punësimin e vajzës së prokurorit nga Mitrovica Sahit Tmava në këtë ministri
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka mohuar sot raportimet e disa mediave që ju printe “gazetari” Lirim Mehmetaj me postimeve në rrjete sociale, ku pretendohej se Aida Tmava Shabani është punësuar në këtë ministri. Aida Tmava Shabani është vajza e prokurorit të Mitrovicës Sahit Tmava i cili po hetonte dyshimet për keqpërdorim të votave në Mitrovicen e Jugut.
Disa media që ju printe Vox Kosova me pronar “gazetarin” Lirim Mehmetaj, propaganduan gjoja se vajzën e prokurorit Sahit Tmava e ka punësuar në ministri të Bujqësisë ministri Faton Peci, por sipas ministrisë kjo nuk është e vërtetë pasiqë ajo ka konkuruar mirëpo nuk është pranuar.
Në një komunikatë për media, ministria ka theksuar se ky informacion është i pasaktë dhe nuk përkon me gjendjen faktike.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të procesit të rekrutimit për pozitën Inspektor i Pylltarisë (RN00014954), i shpallur më 29 gusht 2024, kanë qenë të hapura dy vende pune. Fillimisht, në bazë të rezultateve nga testi me shkrim dhe intervista me gojë, kandidatët me pikët më të larta ishin Ideal Kabashi dhe Aida Tmava Shabani.
Megjithatë, pas një ankese të paraqitur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), ky institucion ka marrë vendimin A.nr.1863/2024, me të cilin ankesa është aprovuar pjesërisht. Sipas këtij vendimi, fitues i vetëm i konkursit është shpallur Ideal Kabashi, ndërsa Aida Tmava Shabani dhe një kandidat tjetër janë larguar nga lista përfundimtare e renditjes. KPMSHCK ka konstatuar se Shabani nuk ka përmbushur kriteret formale lidhur me përvojën e punës, pasi nuk ka bashkëngjitur dëshmitë përkatëse nga Trusti Pensional apo Administrata Tatimore e Kosovës.
Ministria ka sqaruar se Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore ka zbatuar të gjitha procedurat ligjore dhe ka njoftuar kandidaten për rezultatin përfundimtar. “Znj. Aida Tmava Shabani nuk është dhe asnjëherë nuk ka qenë e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dëmton integritetin institucional,” thuhet në komunikatë.
Në fund, ministria ka ritheksuar përkushtimin ndaj transparencës dhe respektimit të procedurave ligjore në çdo proces të rekrutimit, duke i inkurajuar mediat që, para publikimit të informacionit, të kërkojnë konfirmim zyrtar për të shmangur keqinformimin e opinionit publik.
Rruga Press

