Ministri Sveçla: Parcela në perimetrin e sigurisë së stacionit policor në Jarinjë doli pronë e Veselinoviqit, Berat Buzhalës dhe ish-ambasadorit në ShBA
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në fjalën e tij të mbajtur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE, ka folur rreth ndërtimit të stacionit policor në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës, që ishte parë si domosdoshmëri për më shumë siguri dhe mbrojtje për trupat e Policisë së Kosovës. Ky nënstacion u ndërtua në një kohë rekord prej 48 orësh.
“Në bazë të përvojës që kishim më herët, e dinim që policia do të ishte e pambrojtur në atë pjesë, prandaj vendosëm ta ndërtojmë një nënstacion policor, i cili u ndërtua për gjithsej 48 orë”, tha ministri Sveçla.
Më tej, ai u shpreh se kishte kërkuar që një pjesë e parcelës së tokës përreth që ishte brenda perimetrit të sigurisë së nënstaionit policor, të kalojë në proces shpronësimi.
“Në momentin e parë kur u futëm te prona dhe dokumentimi, pamë se ajo hapësirë ishte pronë e Zvonko Veselinoviqit, Berat Buzhalës, Bujar Musës, Akan Ismailit dhe ortakëve të tjerë të tyre”, tha Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Kjo ishte ajo pasiguria me të cilën ne në vazhdimësi ballfaqoheshim. Do të thotë, nuk e dinim as me kënd po ballafaqohemi ushtarakisht, në aspektin policor, por edhe politikisht. Prandaj edhe shumë prej sulmeve që neve na bëhen, burojnë prej kësaj, prej prishjes së interesave të grupeve të caktuara, të klaneve të caktuara, interesa të cilat po dalin se kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha”, tha në përfundim ministri Xhelal Sveçla.
Zvonko Veselinoviq është person në kërkim nga Republika e Kosovës dhe i shpallur person non-grata nga ShBA-ja, është i njohur për veprimtaritë e tij kriminale, për lidhjet e tij të ngushta me presidentin serb Vuçiq, si dhe bashkëpunëtor i ngushtë me terroristin Radoiçiq. Personi tjetër që përmend ministri Sveçla, Berat Buzhala, është gazetar që shquhet për “sulmet” e tij mediatike ndaj Qeverisë Kurti, ish-deputet i PDK-së si dhe partner i mëhershëm me Veselinoviqin në biznesin e gurthyesve. Në anën tjetër, Akan Ismaili është ish-ambasador i Kosovës në ShBA, në periudhën 2012-2015. Ndërsa Bujar Musa është biznemen i njohur për afërsinë me ish-pushtetin në Kosovë.
Rruga Press