Ministri Sveçla paralajmëron Rakiqin: Kushdo që ka cënuar sigurinë e Kosovës do ballafaqohet me drejtësinë
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiqin, se në bashkëpunim me bandat kriminale po barrikadon veriun e po bllokon qytetarët.
Ai ka thënë se ata po trumbetojnë vrasjet duke shtuar se po i armatosin bandat kriminale.
Sveçla ka theksuar se po bëhet përpjekje me partnerët që të hiqen barrikadat pa ndodhur ndonjë përshkallëzim.
“Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet, ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave”, ka shkruar ai në Facebook.
Sveçla ka deklaruar se Rakiq dhe bandat kriminale nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbe për veprimet e tyre kriminale, “prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena”.
Ai ka shtuar se kushdo që cenon sigurinë e vendit, do të ballafaqohet me drejtësi.
“Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim”.
Rruga Press