Ministri Murati: Rritje e theksuar e të hyrave në aeroportin “Adem Jashari”, numri i udhëtarëve këtë vit pritet të arrijë në 4 milionë
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se të hyrat buxhetore nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë shënuar rritje të theksuar gjatë katër vjetëve të fundit dhe se kjo vjen si rezultat i shtimit të numrit të udhëtarëve nga mërgata, por dhe i vizitorëve të huaj.
Murati ka publikuar një tabelë me të dhëna, sipas së cilës për katër vjet janë 94.4 milionë euro të hyra buxhetore në aeroportin “Adem Jashari”.
Ndërsa për dhjetë vjet nga viti 2011 deri në vititn 2020 të hyrat buxhetore në ANP ishin vetëm 56.6 milionë euro.
Murati thotë se ANP “Adem Jashari”, i janë shtuar dhe katër porta të reja dhe se këtë vit pritet që të arrijë shifrën prej 4 milionë udhëtarëve.
“Të hyrat buxhetore nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” kanë shënuar rritje të theksuar gjatë katër vjetëve të fundit. Kjo vjen si rezultat i shtimit të numrit të pasagjerëve, kryesisht nga mërgata jonë, por edhe si rezultat i shtimit të numrit të vizitorëve të huaj, që kanë filluar të vijnë në Kosovë për ngjarjet e shumta sportive e kulturore. Për këtë arsye, aeroportit tashmë i janë shtuar edhe 4 porta të reja dhe sivjet pritet të arrijë shifrën prej 4 milionë udhëtarëve”, ka shkruar Murati në Facebook.
Rruga Press