Ministri Murati dhe Guvernatori Ismaili takuan drejtorin e Departamentit Evropian në FMN
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, gjatë qëndrimit në Washington D.C. kanë takuar drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Alfred Kammer.
Kammer është njoftuar mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me qëllim të rritjes së qëndrueshmërisë së sektorin financiar, ecurinë e zbatimit të aktiviteteve të BQK-së në kuadër të programeve me FMN si dhe asistencave teknike në zhvillim e sipër.
“Diskutimi u fokusua në masat e ndërmarra nga BQK për të fuqizuar edhe më tej qëndrueshmërinë e sistemit financiar, duke përfshirë kapitalizimin e sektorit bankar, nismat e reja ligjore si dhe asistencat teknike përkatëse që pritet të zbatohen gjatë vitit të ardhshëm në pajtim me objektivat e planit strategjik. Të dy palët ri-theksuan përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me qëllim të zbatim me sukses të objektivave dhe projekteve që kanë ndikim pozitiv drejtpërdrejt në sektorin financiar dhe gjithë ekonominë e vendit”, thuhet në njoftim.
Rruga Press