KryesoreLajme

Ministri Murati demanton Hykmete Bajramin: “Buxheti nuk ka fjetur në sirtar – pse s’e miratoni tani?”

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me vonesat në procedimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025.

Në një postim në rrjetet sociale, Murati ka hedhur poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës ka mbajtur në sirtar buxhetin e kryeqytetit, duke theksuar se dokumenti është trajtuar sipas procedurave të zakonshme ligjore.

“Hykmete, u demantuat edhe vetë që Qeveria gjoja nuk e paska përcjellë në Kuvend buxhetin e Prishtinës. Pra, e paska përcjellë. Buxheti i Prishtinës nuk e ka kaluar asnjë ditë në sirtar, por sikurse çdo buxhet tjetër, materiali fillimisht verifikohet nëse është në përputhje me legjislacionin nga Departamenti i Buxhetit në MFPT, e pastaj përcillet për miratim në Qeveri e Kuvend,” ka shkruar Murati.

Ai ka kujtuar se materiali i buxhetit të Prishtinës është dorëzuar në periudhën e festave të fundvitit, çka ka ndikuar në zgjatjen e afatit teknik të shqyrtimit.

“Shto këtu edhe faktin që materiali është dorëzuar në kohën e festave të fundvitit, dhe gati gjysma e ditëve që paske numëruar ose kanë qenë festa zyrtare ose janë ditë fundjave,” ka theksuar ministri.

Murati ka theksuar se problemi kryesor qëndron tek vonesa e Komunës së Prishtinës në dorëzimin e buxhetit përtej afatit ligjor të 30 shtatorit, duke kujtuar se dokumenti është dorëzuar pas miratimit të Ligjit të Buxhetit në lexim të dytë, më 22 nëntor.

Lexo më shumë  Franca i pergjigjet shefit te NATO-s: Europianët mund t’ia dalin edhe pa SHBA-në

“Problemi nuk është tek procedurat standarde, por tek vonesa përtej afatit ligjor që ishte 30 shtatori. E madje vonesa ka qenë edhe përtej datës kur ishte miratuar Ligji i Buxhetit në lexim të dytë,” ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Murati i është drejtuar drejtpërdrejt Bajramit me pyetjen se pse opozita po e vonon tash miratimin e buxhetit në Kuvend.

“Pse nuk po e miratoni tash buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, Hykmete? Arsyetimi me Komisionet Parlamentare nuk qëndron. Mund të formohen vetëm Komisionet e Përhershme, për buxhet, legjislacion, integrime, dhe të drejta të komuniteteve. Këto komisione mjaftojnë të trajtohen edhe Buxheti për 2025 për tri komunat, edhe Ligji i Buxhetit 2026, e edhe buxheti për RTK-në,” ka përfunduar Murati.

Ky reagim i ministrit vjen pas akuzave të opozitës se Qeveria po e pengon zbatimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës, të drejtuar nga Përparim Rama, për motive politike.

Lexo më shumë  Sami Lushtaku viziton Libinë – Takime me Khalifa Haftarin, figurë e mbështetur fuqishëm nga Putini
YouTube player