KryesoreLajme

Ministri Murati: Buxheti i Prishtinës nuk bllokohet nga Qeveria, por nga LDK-ja

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar në lidhje me akuzat për bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës, duke ia atribuar vonesat partisë opozitare LDK dhe kryetarit të Komunës, Përparim Rama.

Në një shkrim publik, Murati sqaron se për shkak të bllokimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare, është pezulluar edhe procesi i ndryshim-plotësimit të Ligjit për Buxhetin. Sipas tij, ky ndryshim do të përfshinte buxhetet e tri komunave që nuk kishin arritur t’i miratojnë me kohë buxhetet në përputhje me afatet ligjore. Një ndër këto komuna është edhe Prishtina.

Lexo më shumë  Avokati i Sorosit, ose avokati i djallit!

“Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina,” shkruan Murati.

Ai thekson se përfaqësuesit e LDK-së, përfshirë kryetarin Rama, po tentojnë të ia atribuojnë qeverisë përgjegjësinë për bllokimin e buxhetit, ndërkohë që, sipas tij, fajtori i vërtetë është partia e tyre që po pengon funksionimin e Kuvendit.

“Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse,” shkruan Murati.

Ministri ngriti edhe një shqetësim të veçantë për veprimet që, sipas tij, janë ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës pavarësisht mungesës së buxhetit të miratuar me ligj. Ai pretendon se janë nënshkruar kontrata dhe janë shpallur tenderë me vlera milionëshe pa mbulesë buxhetore, në kundërshtim me ligjin.

“Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin ‘aksham-pazar’, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik,” deklaron ministri.

Murati përfundon duke theksuar se për këto veprime të dyshuara të paligjshme, Prokuroria do të duhej të ishte vënë në lëvizje prej kohësh, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga organet e drejtësisë.

Lexo më shumë  "Turistët snajperistë" dhe “çetnikët e fundjavës” - kush ishin të huajt në rrethimin e Sarajevës?
YouTube player