KryesoreLajme

Ministri Maqedonci nënshkruan marrëveshje mjekësore me Turqinë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka nënshkruar të mërkurën marrëveshjen për bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, për bashkëpunim në fushën mjekësore.

Vendimi fillimisht u miratua në mbledhjen e të mërkurës nga Qeveria e Kosovës, e më pas u bë i ditur edhe nga ministri Maqedonci.

“Me këtë rast ndërmjet dy ministrive tona u nënshkrua edhe protokolli i rishikuar i bashkëpunimit në fushën e trajtimit mjekësor, përmes të cilit mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke”.

Lexo më shumë  Kosova dërgon kontingjentin e ri të FSK-së për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar

“Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore falas në dispozicion të ushtarakëve tanë rritet nga 50 në 75 në vit apo për 50% më shumë”, ka sqaruar ai.

Ai ka treguar edhe se çfarë parashihet që të plotësohet me këtë marrëveshje.

“Marrëveshja mundëson realizimin e ushtrimeve të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnime mjekësore para zbarkimeve ushtarake, shkëmbimin e personelit mjekësor, veprimtaritë shkencore dhe shkëmbim i informacionit mjekësor, edukim profesional për pjesëtarët e FSK-së në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Turqisë në mjekësi të përgjithshme, stomatologji, infermireri dhe farmaci”.

Lexo më shumë  Kryeziu reagon ndaj lajmit të rremë të Klanit të Devollëve: Nuk ka qenë e vërtetë as në 2023, as sot

Mbi 300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri tani sipas të dhënave të dikasterit të mbrojtjes janë trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke.

Më 29 janar, Kosova dhe Turqia kishin nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak.

Kjo marrëveshje përfshinte shkëmbimin e personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimet në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi.

YouTube player