Lajme

Ministri Maqedonci: Do të vazhdojmë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota

Në pesë vjetorin e transformimit ligjor të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga forcë me kapacitet te kufizuara në ushtri profesionale, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se do të vazhdojnë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota.

Në një njoftim në faqen zyrtare të këtij dikasteri thuhet se ky ndryshim është arritur falë bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, aleatët tanë strategjik, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në këtë përvjetor, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci theksoi se ky ndryshim është arritur falë punës së jashtëzakonshme të ushtarëve, oficerëve dhe stafit civil, përmes një angazhimi të palodhshëm e të pandërprerë, frymëzuar nga amaneti i dëshmorëve e vullneti i hekurt për të ardhmen e brezave të rinj, por sigurisht dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, aleatët tanë strategjik, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Mjeku: PDK-ja pengon Komunën e Zveçanit të lidhet me ujësjellsin e Mitrovicës

“Partnerë këta kyç, me të cilët do të vazhdojmë të punojmë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, citohet të ketë thënë ministri Maqedonci.

Më tej, ai theksoi se: “do të vazhdojmë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota, e gatshme për të përmbushur misionin e saj vital të garantimit të sigurisë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit të territorit të saj, me synim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe ofrimin e kontributit përtej kufirit gjeografik të shtetit tonë, integrimin në strukturat euro-atlantike si aleat me peshë i partnerëve tanë duke kaluar nga konsumues të sigurisë në ofrues të saj”.

Lexo më shumë  Serbët në veri do të pagujnë edhe ujin, KRU “Mitrovica” nënshkruan marrëveshje për shërbim, inkasim dhe faturim me 3 komunat e veriut

Më 14 dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.

Ligjet që u miratuan ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Rruga Press

YouTube player