Ministri kroat: Nuk e pyesim më Serbinë çfarë guxojmë të bëjmë dhe çfarë jo, s’kthehet kurrë më ajo kohë
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka thënë se ka kaluar koha kur vendi i tij e ka pyetur Serbinë se çka lejohet të bëjë e çka jo. Madje, ai tha se ajo kohë nuk do të kthehet më kurrë.
Këto komente, Anushiq i bëri pas reagimit të Beogradit zyrtar në lidhje me nënshkrimin e Memorandumit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, memorandum të cilin Serbia e cilësoi si kërcënim për popullin serb.
MPJ-ja serbe madje tha se do të kërkojë sqarime shtesë nga Shqipëria dhe Kroacia për këtë çështje.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeti Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhet ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Ne jemi shtet i pavarur për 35 vjet, kemi kaluar pesë vjet agresioni dhe politike që komunikoi një narrativë të tillë. Kroacia ka të drejtë të nënshkruajë memorandume. Kosova është një vend mik që ne e kemi njohur dhe në këtë Memorandum do të bashkohen edhe vende të tjera. Në dokument nuk përmendet Serbia, agresioni apo ndonjë aktivitet që mund të rrezikojë dikë, përfshirë edhe Serbinë”, tha zëvendëskryeministri kroat.
Ai shtoi se qëllimi është bashkëpunimi me vende dhe industri të tjera, shkëmbimi i njohurive dhe puna së bashku për të luftuar kërcënimet kibernetike, ndaj të cilave Kroacia, Kosova dhe Shqipëria janë ekspozuar në pesë apo gjashtë vitet e fundit.
“Memorandumi ka të bëjë me parandalimin e kërcënimeve të sigurisë në territorin e tre vendeve. Kroacia sigurisht nuk do të kërkojë lejen e Beogradit për vendimet e saj”, potencoi Anushiq.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha dje se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit. Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera që u theksuan më herët nga dy ministrat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimit të personelit, trajnimit dhe edukimit. Një ndër pikat kyçe të këtij dokumenti është që Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euro-atlantik. Ky dokument hap rrugë për bashkëpunim në veçanti për t’u përballur për rreziqet moderne që kërcënojnë sigurinë rajonale që janë kërcënimet hibride dhe të tjera. Hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe stabilitet dhe më shumë siguri”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.
“Deklarata përkthen jo vetëm një vullnet politik, por gjithashtu disa prioritete që ne ndajmë së bashku. Kryesisht ka të bëjë me rëndësinë që vendet tona i japin ri ngritjes së industrisë ushtarake dhe nevojën që në këtë shtyllë të sigurisë kombëtare vendet tona të bashkëpunojnë edhe më thellë dhe më gjerë. Pika e dytë ka të bëjë për bashkëpunimin që forcat tona të armatosura do të bëjnë, qoftë në stërvitje apo në kapacitete. Kosova dhe Shqipëria kanë çka të mësojnë nga një aleat i vyer si Kroacia. Kjo deklaratë çel sirtarin e një bashkëpunimi më të thelluar dhe kemi marrë interes edhe nga aleatë të tjerë që t’i bashkohen kësaj iniciative”, tha ai.
E ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha pas nënshkrimit se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt, transmeton Klankosova.
“Për shkak të gjeopolitikës duam të kemi bashkëpunim në rajonin tonë duke pasur parasysh rreziqet që janë prezentë dhe situatat që po ndodhin në Evropë, duke iu referuar edhe Ukrainës. Jemi duke menduar edhe për të kaluarën tonë e cila nuk është shumë e largët. Një informacion që e kemi nga e kaluara dhe na jep mundësi për t’u menduar, prandaj kemi marrë vendimin që të kemi një bashkëpunim ndërmjet tre shteteve. Ky bashkëpunim do të bazohet sidomos te dhënia e ndihmës te pjesa e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, ndryshimit të përmbushjes së të gjithë marrëveshjeve që kemi firmosur deri tani. Këto tani duam t’i fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën e shtetit tonë si Kroaci si pjesë e NATO-s dhe BE-së”, theksoi Anushiq.
Kjo marrëveshje trelaterale u konsiderua si e para në rajon.
Rruga Press