Ministri Krasniqi: Do të jem vetëm në atë koalicion qeveritar ku kryeministër është Albin Kurti
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se partia IRDK që ai e udhëheq, do jetë pjesë e një koaliconi vetëm me Albin Kurtin si kryeministër.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi deklaroi se qëndrimi i tij është “parimor” dhe i ndërtuar në mirëbesimin e krijuar gjatë kohës sa është ministër.
“Do të jem pjesë e një koalicioni vetëm ku kryeministër është Albin Kurti. Nga diskutimet që i kam me kolegët e tjerë, vullneti i tyre është që të jenë pjesë e Qeverisë Kurti 3, që do të vije shumë shpejtë” – ka deklaruar Krasniqi.
I pyetur nga mediat se a ka kushte për të qenë pjesë e Qeverisë Kurti, siç kanë komunitetet tjera, ai ka thënë se nuk i preferon kushtëzimet.
“Besoj që të gjithë kolegët e mi nga komunitetet pakicë, tashmë janë të bidnur se politika e kushtëzimeve nuk funksionon dhe partneriteti zhvillohet mbi besimin e ndërsjellë. Kjo ka qenë qeveria e parë që e ka pas fokusin tek komunitetet, sidomos tek ato që kanë qenë të harruara për shumë vite” – ka shtuar Krasniqi.
Emilja Rexhepi, e cila në Qeverinë aktuale është zëvendëskryeministre dhe ka fituar mandatin e deputetes me partinë Nova Demokratska Stranka, është shprehur se po presin rezultatet zyrtare nga KQZ-ja për të filluar bisedimet, teksa shprehet e gatshme të jetë pjesë e një Qeverie me Lëvizjen Vetëvendosje.
E pyetur për kushtet që i kanë për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re, Rexhepi tha se fjala “kusht” nuk është e mirë për veprimtarinë brenda Qeverisë. Por, ajo nuk e përjashtoi mundësinë për të kërkuar që në diplomaci të përfshihen edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak.
“Nuk po ka vend fare për pakicat në diplomaci dhe sigurisht se do të kërkojmë nga Qeveria e ardhshme dhe Presidentja që boshnjakët të përfshihen. Gjysma e komunitetit tonë jeton në diasporë dhe ata meritojnë të jenë të përfshirë nëpër Ambasadat dhe Konsullatat e tyre. Nuk duhet që vetëm shqiptarët të punojnë aty, duhet t’u jepet hapësirë të gjithë popujve.” – deklaroi Rexhepi për KALLXO.com.
Derisa Rexhepi ka kërkesa, Duda Balje e cila udhëheq me partinë Socijaldemokratska Unija ka kushte për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re.
Balje për KALLXO.com thotë se kushti kryesor është fillimi i procesit të formimit të një Komune boshnjake, teksa thotë se deri më tani nuk është ftuar për të biseduar për formimin e Qeverisë.
“Komunën e boshnjakëve jemi duke e pritur që nga pas lufta. Kuptohet se nuk ka qenë koha, sepse kemi qenë në zhvillim e tranzicion, por tash mendoj që në bazë të Ligjit që ne e kemi, duhet të formohet Komuna. Unë e di që nuk mundesh me një votim me e përfundu, por së paku me fillu procesin.” – ka deklaruar ajo.
“Pavarësisht sa vite do të zgjasë (ky proces), jemi komunitet që i plotëson kushtet me pas Komunë për shkak të numrit të popullsisë. Qeveria është e obliguar. Në fakt ky nuk është kusht, por vetëm me obligu Qeverinë me e respektu Ligjin.” – thotë Balje.
Ajo bën të ditur se këtë dhe kushtet e tjera ia ka dërguar me shkrim kryeministrit Kurti.
Fikrim Damka, i cili aktualisht është Ministër i Zhvillimit Rajonal dhe ka fituar dy mandate në Kuvend me partinë Kosova Demokratik Turk Partisi, thotë se ndonëse nuk kanë filluar bisedimet për formimin e Qeverisë, pret që pas certifikimit të Zgjedhjeve një herë të bisedojnë me kryeministrin Kurti, e pastaj edhe me të tjerët.
Damka thotë se nuk kanë vendosur për ndonjë kushtëzim për formimin e Qeverisë së re.
Partia e parë me më së shumti vota nga Zgjedhjet e vitit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96%, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008. /kallxo.com/
Rruga Press