Ministri i Shëndetësisë në Kosovë paralajmëron shtrëngim të masave
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur pas takimit të sotëm rreth shqyrtimit të masave anti-COVID.
Latifi deklaroi se do të ketë ndryshim të masave, konform situatës epidemiologjike.
“Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve, COVID-it.
Do të jenë në proporcion me nevojat për zhvillimin e fëmijëve në shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur, me mbajtjen e ekonomisë hapur”, deklaroi Latifi.
Latifi tha se me masat e reja, lokalet e gastronomisë mund të mbyllen në orën 22:00.
“Është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, por këtë do ta vendosim bashkërisht të gjithë. Do ta dorëzojmë në Qeveri sot pasdite, ose nesër në mëngjes”, ka deklaruar Latifi.
Rishqyrtimi i masave anti-COVID vjen pas rritjes së madhe të rasteve me koronavirus.
Të mërkurën në vend janë regjistruar 2 mijë e 50 raste pozitive. Aktualisht në Kosovë janë 7 mijë e 228 raste aktive me koronavirus.
Rruga Press