Bota

Ministri i Panamasë i përgjigjet Trumpit: Kanali do të qëndrojë në duart tona

Panamaja ka insistuar se sovraniteti i saj mbi kanal është i “panegociueshëm” pasi presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, refuzoi të heqë opsionin e përdorimit të Ushtrisë për ta marrë kontrollin e kanalit, raporton BBC.

Trumpi e bëri deklaratën gjatë një konference për media të martën ku po ashtu deklaroi rrejshëm se Kanali i Panamasë menaxhohej nga ushtarë kinezë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Panamasë, Javier Martínez-Acha, u përgjigj duke thënë se “duart e vetme që janë duke menaxhuar kanalin, janë të popullit të Panamasë dhe do të vazhdojë të qëndrojë ashtu”.

Kanali i Panamasë ishte menaxhuar nga SHBA-ja për dekada. Por në traktatin e nënshkruar nga presidenti amerikan, Jimmy Carter në vitin 1977 i ishte dorëzuar Panamasë më 31 dhjetor të 1999-s.

Në konferencën për media në Mar-a-Lago të martën, Trumpi e cilësoi vendimin e Carterit për të dorëzuar kanalin si “gabim të madh”. Ai po ashtu shprehu interes për blerjen e ishullit Arktik të Grenlandës – që është territor i vetëqeverisur i Danimarkës, si dhe të Kanalit të Panamasë.

Lexo më shumë  SHBA sanksionon bashkëpunëtorin e ngushtë të Orbanit

“Unë nuk mund të siguroj në asnjërën prej opsioneve”, ka thënë Trumpi kur është pyetur nëse do të heqë opsionin ushtarak apo të forcës ekonomike për ta marrë Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Panamasë mohoi se vendi i tij kishte pranuar ndonjë ofertë nga presidenti i zgjedhur.

“Qëndrimi i Trumpit sot se ai ka folur për një shifër të caktuar parash, nuk është i vërtetë. Le të jetë e qartë se asnjë lloj oferte nuk është bërë dhe se sovraniteti i kanalit tonë nuk është i negociueshëm dhe se është pjesë e historisë së vuajtjes dhe një çështje e pakthyeshme”, tha Martínez-Acha.

Lexo më shumë  Lufta në Ukrainë, Macron: Do shkatërrohemi nëse fiton Moska

Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, nuk ka reaguar akoma direkt ndaj qëndrimit të Trumpit. Por në një ceremoni për përvjetorin e 25-të të marrjes së kontrollit të kanalit më 31 dhjetor, ai u tha pjesëmarrësve të “rrinë të qetë”. “Kanali do të qëndrojë nën kontrollin tonë përgjithmonë”, u shpreh ai.

Presidenti Mulino në të kaluarën është shfaqur i irrituar prej deklaratave të Trumpit se kanali në një farë mënyre është nën influencën kineze, duke thënë “nuk ka ushtarë kinezë në kanal, për hir të Zotit”.

Po ashtu qeveria e tij shtoi se “deri më 20 janar, SHBA-ja udhëhiqet nga Joe Biden”. “Prej 20 janarit ne do të merremi me zotëri Trumpin dhe qeverinë e tij. Panamaja është e hapur të bashkëpunojë dhe mirëmbajë marrëdhënie të shkëlqyeshme me qeveritë e ndryshme”, thuhet në reagim.

YouTube player