Ministri i Mbrojtjes së Kosovës flet për raketat amerikane Javelin dhe çështje të tjera të mbrojtjes
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, thotë se raketat amerikane “Javelin”, pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohësh.
Ai shton se vendi ka ekzekutuar pagesat në bazë të planit të paraparë dhe se sistemi “Javelin”, do të jetë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë, por nuk specifikoi një datë për shkak, siç tha të konfidencialitetit që ka procesi.
Maqedonci theksoi se Kosova tashmë zotëron sistemin e raketave turke “OMTAS”, që është i ngjashëm me atë “Javelin”.
Ministri i Mbrojtës në një intervistë për KosovaPress, thekson se qeveria Kurti në tri vitet e fundit ka investuar rreth 240 milionë euro në blerje të sistemit të armatimit.
“Ne jemi në proces të blerjes së Javelin, kemi ekzekutuar pagesat sipas planit të pagesave që kemi. Jemi në proces të prokurimit dhe është çështje tash kohësh dhe koordinimi kur do të vijnë Javelin këtu. Por ne kemi bërë prokurime edhe më herët të sistemeve të ngjashme si Javelin, kryesisht me Turqinë por edhe vende të tjera.
Tashmë kemi në inventarin e FSK-së, sistemin Omtas që është i përafërt me sistemin Javelin, ka të njëjtën mënyrë. Sistemi Javelin do të jenë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë. Nuk mund të jap kohë të caktuar edhe për shkak të konfidencialitetit që ka ky proces”, thekson Maqedonci.
Ai shton se në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën e 2 për qind të bruto-produktit vendor.
“Brenda tri viteve të qeverisjes Kurti kemi 239 milionë euro që janë shpenzuar në blerje të sistemit të armatimit. Në krahasim me shpenzimet që janë bërë në të kaluarën është dhjetëra fish më e lartë. Ne jemi duke vazhduar të pranojmë buxhet shtesë prej Qeverisë së Kosovës, krahas rritjes së buxhetit që e kemi në vazhdimësi. Është për t’u theksuar që në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën 2 për qind që synohet të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s dhe shumë prej tyre nuk e kanë arritur.
Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së buxhetit që ka ndihmuar Qeveria e Kosovës dhe fokusit të Kurtit për të ndërtuar kapacitetet mbrojtjes duke investuar në sisteme të armatimit. Në këtë aspekt po vazhdojmë të bëjmë blerje ushtarake. Në këtë aspekt këto blerje ushtarake i realizojmë përmes një sistemi që ne e quajmë shtet me shtet.
Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes të një shtetit të NATO-s, identifikon mundësitë për blerje të atij vendi. Falë mbështetjes që e kemi pas të vazhdueshme, kemi bërë blerje të sistemit të armatimit të cilat kanë qenë të parapara të blihen në faza më të vonshme”, thotë Maqedonci.
Ministri nënvizon se investimi në mbrojtje nga Qeveria do të vazhdojë të jetë në 2 përqind edhe gjatë këtij viti dhe vitet e ardhshme.
“Duke parë qasjen e kryeministrit Kurti, unë vlerësojë që prej tash dhe vitet në vijim sa të jetë kjo qeveri në krye të vendit dhe sa të kemi kryeministër Kurtin, kjo rritje nuk do të ndalet. Ne do të kemi gjithmonë mbi 2 për qind investime në mbrojtje”, deklaron ai.
Në anën tjetër, Maqedonci foli edhe për largimin e pretenduar të ushtarëve nga FSK-ja, për çka thotë se të njëjtat janë brenda parametrave normal dhe se nuk preket operacionaliteti i FSK-së.
“Nuk ka ndryshim në aspektin e numrit, e kam fjalën nuk ka rritje të numrit të largimeve gjatë këtij tre mujori, pavarësisht se liberalizimi i vizave do të ndikojë. Ne në vazhdimësi kemi kërkesa për t’iu bashkangjitur Forcës së Sigurisë nga të rinjtë tanë, veçanërisht nga akademitë ushtarake, të cilat i kemi si Qendrën për Studime Universitare që e kemi brenda FSK-së por edhe bashkëpunimit që e kemi me akademitë të tjera.
Kemi një numër të madh të të interesuarve për të qenë oficerët e ardhshëm të Kosovës. Unë inkurajojë të gjithë të rinjtë që t’i bashkëngjiten FSK-së si oficerë në këtë detyrë me të vërtet fisnike. Vitin e kaluar kemi pasur një trajnim të mbi 600 qytetarëve të cilët tani janë pjesë e FSK-së dhe do të vazhdojmë me rritjen e numrit. Daljet janë ende në parametrat normal. Shpesh ky numër mund të rritet apo mund të zvogëlohet por nuk prek operacionalitetin e FSK-së”, thekson Maqedonci.
Krahas këtyre, ministri Maqedonci thotë atashetë ushtarak të Kosovës janë të vendosur në disa prej qendrave kryesore diplomatike, por shtoi se janë në planifikim të vendosjes së atasheve edhe në disa vende të tjera që vlerësojnë se është e rëndësishme.
Ndërkaq, sa i përket Fondit të Sigurisë, ai tha se i njëjti vazhdon të mbetet konfidencial, por ftoi qytetarët të kontribuojnë. /kp
Rruga Press