Bota

Ministri i mbrojtjes italiane: Sulmet ndaj civilëve të Gazës nuk mund të justifikohen më

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka deklaruar se sulmet kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës “nuk mund të justifikohen më”, transmeton Anadolu.

Duke folur për televizionin italian “SkyTG24”, ministri Crosetto tha se “ka një situatë gjithnjë e më të vështirë, në të cilën populli palestinez po shtypet pa marrë parasysh të drejtat e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm që nuk kanë asnjë lidhje me Hamasin”.

Kjo, siç theksoi ministri italian, “nuk mund të justifikohet më”.

“Ne të gjithë jemi të bindur se pas sulmit frikacak të Hamasit, Izraeli duhej ta zgjidhte problemin. Megjithatë, që nga dita e parë, ne të gjithë thamë se sulmi duhej të ndodhte në një mënyrë tjetër, për të ndaluar sulmin në Rafah dhe neve nuk na kanë dëgjuar. Tani ne e shohim situatën me dëshpërim”, tha Crosetto.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Ministri italian gjithashtu tha se Italia po përpiqet të ndihmojë popullsinë civile të Rripit të Gazës me ndihma humanitare. Gjatë fundjavës, Roma njoftoi më shumë ndihmë për Gazën, pasi të shtunën kryeministrja Giorgia Meloni u takua me homologun e saj palestinez, Mohammad Mustafa.

Për këtë qëllim, raportojnë mediat italiane, vendi ka caktuar 35 milionë euro (38 milionë dollarë) financime të reja për civilët palestinezë, nga të cilat 5 milionë euro do të shkojnë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).

Lexo më shumë  Merkeli shpreh shqetësim të madh për rolin e Muskut në administratën Trump

“Tani, ne po ndihmojmë njerëzit në vështirësi. Por nuk mjafton. Kam përshtypjen se me këtë zgjedhje Izraeli po mbjell urrejtje, e cila do të përfshijë fëmijët dhe nipërit e tij. Do të kisha preferuar një zgjedhje tjetër, madje duke kuptuar të gjitha arsyet e tyre. Hamasi është një gjë dhe populli palestinez është një gjë tjetër”, tha Crosetto.

Rruga Press

YouTube player