Bota

Ministri i Jashtëm britanik: Duhet të tregojmë zhgënjim më të madh me Serbinë

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka thënë se duhet të tregohet zhgënjim më i madh me Qeverinë e Serbisë, pas sulmit në Banjskë më 24 shtator dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për të cilat Perëndimi bëri thirrje për hetim mes dyshimeve për parregullsi të shumta.

Cameron vizitoi Kosovën më 4 janar të këtij viti. Nga Prishtina, ai përsëriti se siguria e Ballkanit është interes nacional i Britanisë së Madhe.

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të martën, Cameronit iu parashtruan disa pyetje për situatën në Kosovë nga deputetja Alicia Kearns.

Ministri britanik ka thënë se zhgënjim për Serbinë ka edhe në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne pozicionin tonë [të Britanisë së Madhe], duhet të jemi të qartë në qëndrimin dhe politika tona. Ne duhet të tregojmë zhgënjim më të madh për Qeverinë e Serbisë. Duhet t’i pyesni vetë BE-në dhe SHBA-në nëse ato janë të zhgënjyera [me Serbinë]. Por nga bisedat që kam pasur, ka zhgënjim”, ka thënë Cameron.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Ai thotë se është i vetëdijshëm se sa i rrezikshëm ka qenë sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Kemi pamje të qartë se çfarë ndodhi atë ditë. Po t’i shohim armët, numrin e njerëzve – jam i vetëdijshëm se sa i rrezikshëm ishte ai sulm”, ka thënë Cameron.

Cameron ka theksuar se Britania vazhdon ta mbështetë politikën e dialogut.

“Politika jonë është e ashpër dhe realiste. Stuart Peach [i dërguari i Britanisë për Ballkanin Perëndimor] shkoi në Serbi dhe diskutoi me Vuçiqin pas sulmit në Banjskë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka shtuar ministri i Jashtëm i Britanisë.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Cameron ka deklaruar se ndajnë shqetësimin me të tjerët për mënyrën se si kanë shkuar zgjedhjet në Serbi.

Ai u pyet edhe për politikanin opozitar serb, Nikola Sanduloviq, i cili u rrah nga shërbimi sekret i Serbisë (BIA). Përgjegjësinë për rrahjen e ka marrë ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin. Megjithatë, avokati i Sanduloviqit ka thënë se Vulini e mori përgjegjësinë për ta mbuluar presidentin Aleksandar Vuçiq.

“Jemi të vetëdijshëm nga raportimet për Sanduloviqin. Po presim më shumë informacione. Është shqetësuese. Do të reagojmë pasi të kemi informacionet e plota”, ka thënë Cameron.

Rruga Press

YouTube player