Ministri Çeku padit për shpifje Besian Mustafën, zëdhënësin e LDK-së
Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se ka ushtruar padi për shpifje në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa.
Çeku thotë se i kishte dhënë hapësirë Mustafës për të kërkuar falje dhe ai as nuk u tërhoq e as nuk kërkoi falje.
“Para pak ditësh e pata shkruar një tekst për mungesën e konsistencës në qëndrime publike të kryetarit të LDK-së. Pa kaluar as dy orë pati reaguar Besian Mustafa. Asgjë e papritur, një zyrtar i lartë i LDK-së që i del në mbrojtje kryetarit. Mirëpo, për habinë time, në reagimin e tij nuk kishte asnjë kundër-argument për faktet dhe analizën time. Aty kishte vetëm shpifje. Nga pretendimi për një “hall financiar” te projektet e stadiumeve, deri te ai për “subvencione 257 mijë euro për vëllanë tim”. Një ditë pas deklaratës së tij, publikisht i pata kërkuar të tërheqë të njëjtën e të kërkojë falje, në të kundërtën do të detyrohem t’i drejtohem institucioneve të drejtësisë. Pasi nuk reflektoi brenda këtij afati, padinë për shpifje e dorëzova sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, njoftoi ministri Çeku.
Më 12 mars, Besian Mustafa iu kishte drejtuar me këto fjalë Çekut në profilin e tij në facebook. “Hajrulla, a po na tregon qysh i ke nënshkru’ 56 milionë euro tendera në nëntor 2024, në fund të mandatit 4 vjeçar? Çka ke kaq urgjente? Nuk ndërtohen 4 stadiume për 4 muaj… çfarë halli financiar pate? KORRIGJIM: A po na tregon qysh ia ndau ministria që ti udhëheqë 257 mijë euro subvencione OJQ-së ‘Ec ma ndryshe’ të cilën e ke drejtuar? A i keni fitu 48 mandate Hajrulla me formu’ qeverinë apo me i bà analizë sintaksës, drejtshkrimit e bukurshkrimit të Lumirit? Neve na ke në qato pozicione që kemi thënë para, gjatë e pas fushatës”, kishte shkruar atë ditë Mustafa, çka kishte ngjallur menjëherë reagimin e ministrit Çeku, duke i quajtur deklaratat e Mustafës të pavërteta për cka i kishte dhënë kohë shtatë ditë ta tërheqë deklaratën e të kërkojë falje publike.
Rruga Press