Miliarda euro të “ngrira” në beton, paradoksi që po zbraz Shqipërinë
Shkruan Sonila Meço
Prej dy ditësh kam ndjekur trajnimin e një mendjeje brilante mbi tregjet financiare. Përpos një aftësie mprehur nga studime e përvojë e gjatë, një lloj patriotizmi i shëndetshëm dhe dashurie për shqiptarinë e bënte të ngjante një lider shpirtëror më shumë se guru investimesh.
Analfabetizmi ynë financiar për shkak jo vetëm të mungesës së kulturës mbi investimet, por edhe të kushtëzimit në kufij mbijetese në një ekonomi të deformuar qëllimisht jashtë çdo logjike tregu është fatkeqësi kombëtare. Sepse njohuritë e secilit, me këto pasuri vendi dhe mundësitë e pafundme të vënies në prodhim të një kapitali e energjie madhore si kjo e shqiptarëve në emigracion sot do duhej të na kishin shndërruar në vend të pasur me banorë milionerë.
Dhe pasi mbarova leksionin, optimiste dhe e çtoksikuar nga rutina e lajmeve të ditës, dola në Tiranë, në mbrëmje me dy miq të huaj. T’ju tregoja qytetin. Aq më zgjati detoksi. Mjafton betoni kredhur në terr si përbindësh i fjetur për shkak të jetës së munguar brenda mureve e aty çartesh edhe një herë për ferrin që është bërë ky vend-parajsë.
Pse ferr? E vend-parajsë?
Mjafton të bësh një llogaritje të thjeshtë sipas të dhënave të censusit të fundit, apo edhe INSTAT-it. Me statistika zyrtare rreth 170,000 apartamente të pabanuara. Me një vlerë mesatare konservatore për apartament në Shqipëri prej 70,000 – 100,000 euro, duke përfshirë periferinë dhe qytetet e vogla, jo vetëm Tiranën) llogaritja të çon në 170,000 × 70,000 € = 11.9 miliardë € deri në 170,000 × 100,000 € = 17 miliardë €. Pra, vetëm për apartamentet bosh, 12 deri në 17 miliardë euro rezulton kapital i ngrirë.
Nëse e zgjerojmë tek “mbi 300,000 banesa në total”, sipas të dhënave zyrtare, përfshirë stok jo optimal, gjysmë të përdorur, etj, etj, edhe nëse marrim një mesatare më të ulët, p.sh. 70,000 €, kapitali i fjetur në pasuri të paluajtshme në Shqipëri shkon tek 300,000 × 70,000 € = 21 miliardë euro.
Në çdo ekonomi normale, ky kapital do të sillte energji, qira, investime, lëvizje, prodhim, ndërsa në Shqipëri ka krijuar një iluzion mirëqenieje me para pa funksion, vendime pa kthim, kapital që nuk prodhon, shtëpi që nuk strehojnë, çmime që rriten pa asnjë logjikë tregu, duke krijuar paradoksin përçudnues që po zbraz vendin: mbi 40% banesa bosh dhe një brez i tërë nuk përballon dot një shtëpi. Duke e bërë gjithnjë e më të pamundur për ata që duan të jetojnë në këtë vend dhe duke ulur mundësitë për ata që duan të ndërtojnë diçka reale.
Po të gërmosh arsyet i gjen me shtresa. Një pjesë e madhe e kapitalit në Shqipëri nuk ka patur rrugë të pastër për t’u investuar, duke çelur “shtigje” të reja, kur i pistë qamet ka dashur të “higjenizohet”. Në ekonomi normale biznesi kërkon transparencë, sistemi financiar kërkon gjurmë, tregjet kërkojnë rregulla. Ndërsa në katrahurën tonë, betoni nuk pyet shumë dhe apartamenti bëhet vendi më i lehtë për të “shkarkuar” para të çdo lloji, sidomos korrupsioni e krimi.
Në një ekonomi të zhvilluar, siç na e kujtuoi edhe profi në leksionet e këtyre dy ditëve, ke shumë opsione investimi, nga bursat tek fondet e investimit, start-up-e, industri. Në Shqipëri, jo vetëm që nuk janë inkurajuar, por janë goditur e asgjësuar që pa nisur.
Rezultati? Betoni është bërë forca lëvizëse e ekonomisë, as nuk pyet nëse ka kërkesë reale. Ndërtohet sepse ka ende tokë që grabitet, ka leje në duart e një njeriu të vetëm kalbur në pushtet, ka korrupsion e abuzim të llahtarshëm me parane publike, ka kapital që mezi pret të pastrohet diku.
Tani mendoni ato 21 miliardë euro të “murosura”, të qarkullonin në ekonomi. Do kishim industri që prodhojnë dhe eksportojnë. Në vend të apartamenteve bosh, kapitali mund të shkonte në industri, bujqësi. E do kishim kësisoj prodhim, eksport, valutë dhe punësim të qendrueshëm. Nuk do na dërrmonte zhvlerësimi i euros produktin Made in Albania.
Do kishim turizëm me vlerë e jo vetëm beton bregdetar, apo apartamente për t’u shitur një herë. Do kishim struktura turistike që operojnë gjithë vitin, agroturizëm real, shërbime cilësore, aventura që krijojnë përvojë (guida kulturore e në natyrë).
Pa do kishim energji dhe pavarësi ekonomike me investime me eficiencë energjetike, magazinim energjie, duke ulur kostot për biznesin e rritur konkurrueshmërinë e gjithë ekonomisë. Mund të shfrytëzonim naftën e gazin tonë natyror.
Një pjesë e këtij kapitali prej 21 miliardë eurosh mund të krijonte hub-e teknologjike, start-up-e të financuara seriozisht, kompani shërbimesh digjitale për eksport. Këto nuk kërkojnë shumë tokë, por krijojnë shumë vlerë.
Mendoni me 21 miliardë euro ç’infrastrukturë do kishim, jo vetëm rrugë e korridore, por logjistikë moderne (porte, aeroporte, zinxhirë furnizimi), zona industriale funksionale, lidhje që do ulnin kostot e transportit.
Kapitali financiar do të qarkullonte, në vend të gjumit letargjik të sotëm.
Nuk do na pushtonte betoni, duke na ndryshuar deri klimën e qyteteve në kurriz të gjelbërimit e oksigjenit, duke na rrezikuar edhe shëndetin, por do të kishim fonde investimi, kredi për ndërmarrje të vogla e të mesme, instrumente financiare që rrisin sipërmarrjen, pensionistë të pasur nga investimet e punës, shkurt, para që kthehen në zhvillim e mirëqenie.
Çfarë do të ndryshonte realisht? Më shumë vende pune reale, jo ciklike. Paga më të larta (sepse prodhon, jo vetëm shet), më pak emigrim, më pak të huaj të këputur, që zëvendësojnë shqiptarët që ikin, më shumë eksport se import, ekonomi që rritet nga prodhimi, jo nga ndërtimi.
Prandaj kur i thuhet shqiptarit se “nuk je i zoti derisa nuk blen dot shtëpi e se fajin nuk ta ka Shqipëria, ndaj nisu Gjermanisë a botës”, të duket se kolonizimi i këtij vendi është akti final i një strategjie me beton.
Problemi o ti lum miku, që ia ngjesh shqiptarit kusurin e futjes në ekonomi të parasë së pistë, është se puna e ndershme, pa korrupsion e ndotje në krim në këtë vend nuk të lejon më të jetosh me dinjitet.
Merre një laps e letër dhe shihe se pagat mesatare në Shqipëri nuk përballojnë çmimet e tregut. 42% e popullsisë konsiderohet e varfër nga Banka Botërore. Kreditë janë shumë të shtrenjta dhe afatgjata gjer në breza. Çmimet janë rritur shumë më shpejt se të ardhurat. Andaj dikush me dy a tri punë sërish nuk e përballon dot blerjen e një shtëpie. Por dikush tjetër me një burim të padukshëm kapitali, përfshi korrupsion e mafia blen 3 e 333 apartamente po deshe, madje ka edhe luksin t’i lerë bosh.
Me dy gjendje të kundërta brenda një dite, nga optimizmi i profit tek trishtimi i betonit në muzg, sërish e ndjej se Shqipëria mundet dhe bëhet, thjesht i duhet hequr nga duart atyre që jo vetëm milionin e parë, po as të fundit nuk duan ta deklarojnë si e bënë.
Rruga Press

