MILAN KUNDERA: ÇKA ËSHTË KAFKOLOGJIA DHE KUSH E KRIJOI?
Imazhin e Kafkës dhe të veprës së tij e ka krijuar Maks Brodi; në të njëjtën kohë ka krijuar kafkologjinë.
Madje, edhe nëse kafkologët do të rreken të largohen nga babai i tyre, nuk do të dalin dot kurrë prej sinoreve që iu ka përcaktuar ai. Me gjithë sasinë astronomike të teksteve, kafkologjia zhvillohet, me lloje të pafundmë, me diskurse të njëjtë, me spekulime të njëjta që, të pavarur gjithnjë e më shumë nga vepra e Kafkës, nuk ushqehen veçse prej saj. Përmes parathëniesh të panumërta, pasthëniesh, shënimesh, biografish dhe monografish, konferencash ndërkombëtare dhe tezash të ndryshme, ajo prodhon dhe ushqen imazhin e Kafkës, anipse autori që publiku njeh nën emrin e Kafkës nuk është më Kafka, por Kafka i kafkologjizuar.
Gjithçka që shkruhet për Kafkën nuk është medoemos kafkologji. Si përcaktohet, pra, kafkologjia?
Përmes një tautologjie: kafkologjia është diskursi i përcaktuar për të kafkologjizuar Kafkën. Për ta zëvëndësuar Kafkën me Kafkën e kafkologjizuar:
1) Kafkologjia, ashtu si Brodi, i shqyrton librat e Kafkës jo në kontekstin e madh të historisë letrare (të historisë së romanit evropian), por pothuajse vetëm në mikrokontekstin biografik. Në monografinë e tyre, Boisdeffre dhe Albérés shpallin se Prusti i hidhte poshtë shpjegimet biografike të artit, ama vetëm për të thënë se Kafka kërkon një përjashtim nga rregulli, librat e tij “nuk mund të shkëputen prej personit të tij. Edhe në u quajtëshin Jozef K., Rohan, Zamza, Gjeometër, Bendemann, Jozefinë këngëtarja, Agjërues, apo makar qoftë Trapezist, heronjtë e librave të tij nuk janë veçse vetë Kafka.” Biografia është çelësi kryesor për të shkoqitur kuptimin e veprës. Më zi akom: i vetmi kuptim i veprës është të jetë një çelës për të shkoqitur biografinë.
2) Nën penën e kafkologëve, ashtu si edhe tek Brodi, biografia e Kafkës bëhet hagjiografi; emfaza e paharrueshme me të cilën Roman Karsti ka mbyllur fjalimin e tij në simpoziumin e Liblice-ës, në vitin 1963: “Franz Kafka ka jetuar dhe vuajtur për ne!”
Lloje të ndryshme hagjiografish: fetare; laike: Kafka, martir i vetmisë së vet; majtiste: Kafka që vizitonte “vazhdimisht” mbledhjet e anarkistëve dhe ishte “shumë i vëmendshëm ndaj revolucionit të 1917” (sipas një dëshmie mitomaniake, vazhdimisht të cituar, asnjëherë të vërtetuar). Në çdo kishë apokrifët e tij:
Bisedat e Gustav Janouch-it. Tek çdo shenjt, një isharet sakrifikues: vullneti i Kafkës për të shkatërruar veprën e vet.
3) Kafkologjia, ashtu si dhe Brodi, i ka larë duart me Kafkën në fushën e estetikës: herë duke folur për “mendimtarin fetar”, herë për majtistin, herë për kundërshtuesin e artit, “biblioteka ideale e të cilit nuk do të përfshinte veçse libra inxhinierësh, makinistësh dhe juristësh fakteparashtrues” (libri i Deleuze-it dhe Guattari-it). Ajo kundron pa u lodhur marrëdhëniet e veta me Kierkegardin, me Niçen, me teologët, por i bën hasha romancierët dhe poetët. Zaten vetë Kamyja, në esenë e vet, nuk flet për Kafkën si një romancier, por si një filozof. Shkrimet private dhe romanet e tij ajo i trajton në të njëjtën mënyrë, duke pëlqyer përveçmërisht të parat. Për voli po marr esenë e Garaudy-së për Kafkën, gjer asokohe marksist: 54 herë janë cituar letrat e Kafkës, 45 herë ditari i Kafkës, 35 herë Bisedat e Janouch-it, 20 herë tregimet, 5 herë Procesi, 4 herë Kështjella, asnjëherë Amerika.
4) Ashtu si Brodi, Kafkologjia e mohon ekzistencën e artit modern; sikur Kafka të mos i përkiste breznisë së novatorëve të mëdhenj; Stravinskit, Webern-it, Bartókut, Apollinaire-it, Musilit, Xhojsit, Pikasos, Braque-ut, që të gjithë, si ai, të lindur midis viteve 1880 dhe 1883. Në vitet pesëdhjetë, kur u përhap ideja e përafërsisë së Kafkës me Beketin, Brodi kundërshtoi njëhopshëm: Shën Garta nuk ka asgjë të përbashkët me këtë dekadent!
5) Kafkologjia nuk është një shkencë letrare (ajo nuk shqyrton vlerën e veprës: të zbulojë pamje gjer atëherë të panjohura të ekzistencës të fshehura në vepër, sisteme të reja estetike përmes të cilave i është kthyer drejtimi evolucionit të artit, etj); kafkologjia është një ekzegjezë. Si e tillë ajo nuk di të përshquajë gjë tjetër në veprat e Kafkës përveçse alegoritë. Ato janë fetare (Brodi: Kështjella=Mëshira e Zotit; gjeometri= Parsifali i ri në kërkim të hyjnores; etj, etj); ato janë psikaanalitike, ekzistencialiste, markiste (gjeometri =simbol i revolucionit, ngase ndërmerr një shpërndarje të re të Tokës), politike (Procesi i Orson Welles-it); në romanet e Kafkës nuk kërkohet bota reale e tjetërsuar përmes një imagjinate të pataksshme; ajo çkodon mesazhe fetare, ajo deshifron parabola filozofike.
*Shkëputur nga: “Testamentet e tradhtuara”
Përktheu: Balil Gjini
Rruga PRess