Kuriozitete

Metabolizmi arrin pikun në moshën 1-vjeçare, nis të bjerë pas të 60-ave

Studimi i të dhënave nga më shumë se 6,400 persona, të moshave prej vetëm gjashtë ditësh nga lindja e deri në mbi 95 vjeç, ka sugjeruar se metabolizmi i njeriut mbetet “si guri i fortë” deri në moshën e mesme, ka raportuar transmetuesi britanik BBC. Sipas tyre, metabolizmi e arrin pikun në moshën njëvjeçare, mbetet stabil nga mosha 20 deri në 60-vjeçare dhe më pas nis të dobësohet në mënyrë të pashmangshme

Mosha e mesme nuk mund të fajësohet për dobësimin e metabolizmit, kanë treguar të dhënat e një analize të pashembullt mbi përdorimin e energjisë trupore.

Studimi i të dhënave nga më shumë se 6,400 persona, të moshave prej vetëm gjashtë ditësh nga lindja e deri në mbi 95 vjeç dhe nga 29 vende të botës, ka sugjeruar se metabolizmi i njeriut mbetet “si guri i fortë” deri në moshën e mesme, ka raportuar transmetuesi britanik BBC.

Sipas të dhënave rezultuese, bëhet e ditur se metabolizmi e arrin pikun në moshën njëvjeçare, mbetet stabil nga mosha 20 deri në 60-vjeçare dhe më pas nis të dobësohet në mënyrë të pashmangshme.

Hulumtuesit kanë thënë se gjetjet kanë nxjerrë të dhëna të reja befasuese mbi organizmin.

Metabolizmi përbën secilën pjesë të kimisë së nevojshme për ta mbajtur trupin në funksion. Sa më i madh është trupi i njeriut – edhe nëse është me shumë muskuj apo me bark të madh – më shumë energji do t’i duhet për të funksionuar, ka raportuar BBC mbi studimin.

Hulumtuesit i përshtatën matjet e tyre varësisht nga trupi i njeriut dhe e krahasuan metabolizmin e të gjithë të studiuarve “pikë për pikë”.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Science”, ka gjetur katër faza të jetës së metabolizmit: nga lindja deri në moshën njëvjeçare, kur metabolizmi kalon nga i njëjti që ka qenë me nënën në një nivel 50 për qind më të lartë se ai i të rriturve. E dyta ngërthen lëvizjen e ngadalshme deri në moshën 20-vjeçare, me asnjë shpërthim përgjatë ndryshimeve të pubertetit, pa asnjë ndryshim në mes të moshave 20 dhe 60-vjeçare, dhe e treta rënien e përhershme vjetore, e cila nga mosha 90-vjeçare e bën metabolizmin 26 për qind më të ngadalshëm se në moshën e mesme.

“Është diçka që nuk e kemi parë më herët dhe ka shumë befasi në të”, ka thënë një nga studiuesit, Jon Speakman, profesor nga Universiteti i Aberdeenit. “Befasia më e madhe për mua është që nuk ka asnjë ndryshim gjatë moshës madhore – nëse jeni duke përjetuar telashe të moshës së mesme ju më nuk mund ta fajësoni atë për rënien e shkallës metabolike”.

Befasitë e tjera erdhën nga ajo që studimi nuk i gjeti.

Nuk ka pasur asnjë shpërthim të metabolizmit qoftë gjatë pubertetit e as gjatë shtatzënisë dhe nuk ka pasur as ngadalësim gjatë menopauzës, ka raportuar BBC.

Metabolizmi i lartë në vitet e para të jetës po ashtu thekson se sa i rëndësishëm është një moment në zhvillimin e tij dhe përse kequshqyerja mund të ketë pasoja të përjetshme.

“Kur njerëzit flasin për metabolizmin, ata zakonisht mendojnë për dietën dhe ushqimet – por është më e thellë se kaq. Ne në fakt jemi duke e shikuar trupin tuaj, qelizat, gjatë punës”, ka thënë për BBC-në profesori i Duke University, Herman Pontzer. “Janë tejet të zëna në moshën njëvjeçare dhe i shohim të zhduken me kalimin e kohës, shohim që qelizat tuaja po ndalen së punuari”.

Metabolizmi i njerëzve është matur me ujë të veçantë që përdoret për studime e që përbëhet nga forma të rënda të atomeve të hidrogjenit dhe oksigjenit, i cili mund të gjurmohet kur të largohet nga trupi.

Ky ujë është jashtëzakonisht i shtrenjtë. Shkencëtarët mblodhën të dhënat nga ky ujë nga 29 shtete të ndryshme dhe të 6,400 njerëzve. Po ashtu, shkencëtarët kanë thënë se kuptimi i plotë i ndryshimit të metabolizmit mund të ketë ndikime edhe në mjekësi.

Pontzer ka thënë se kjo gjetje mund t’u ndihmojë të kuptojnë nëse kancerët mund të shpërndahen ndryshe, varësisht ndryshimeve të metabolizmit dhe nëse dozat e ilaçeve mund të rregullohen për faza të ndryshme të jetës. Madje ka diskutime nëse ilaçet që modifikojnë metabolizmin mund të ngadalësojnë sëmundjet e moshës së shtyrë.

Mjekët Rozalyn Anderson dhe Timothy Rhoads nga Universiteti i Wisconsinit kanë thënë se studimi “i paprecedent” ka çuar në “gjetje të rëndësishme brenda metabolizmit”.

Dhe “nuk mund të jetë koincidencë” se sëmundjet e njerëzve të moshuar nisin në kohën kur bie metabolizmi.

Profesori Tom Sanders nga “King’s College London” ka thënë për BBC-në se “çuditërisht kanë gjetur pak dallime në shpenzimin e plotë të energjisë në mes të moshës së hershme të të rriturve dhe moshës së mesme – një kohë kur të rriturit në shumicën e vendeve nisin të shtojnë peshë. Këto gjetje mbështesin pikëpamjen se epidemia e obezitetit ushqehet nga marrja e tepërt e energjisë nga ushqimi dhe jo nga një rënie e shpenzimit të energjisë”.

Soren Brage nga Universiteti i Cambridget ka thënë se energjia totale e shpenzuar është vështirë të matet.

“Ne duhet urgjentisht të kthejmë vëmendjen tonë jo vetëm kah kriza globale e energjisë nga djegia e karburanteve, por edhe nga kriza e energjisë që shkaktohet nga mosdjegia e kalorive në trupat tanë”./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *