Meta takon Konjufcën: “Ballkani i Hapur”, projekt përçarës dhe përjashtues
Në kuadër të vizitës së tij të punës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u mirëprit sot ngrohtësisht në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Presidenti Meta i shprehu Kryeparlamentarit Konjufca vlerësimet për përparimin e gjithanshëm të Kosovës, duke vlerësuar në veçanti proceset e fundit zgjedhore, si një shembull i shkëlqyer i konsolidimit të institucioneve, shtetit ligjor, nivelit të demokratizimit dhe vetëdijesimit të mbarë shoqërisë.
Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e thellimit dhe forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve tona, duke evidentuar rëndësinë e konkretizimit të të gjitha angazhimeve ndërqeveritare mbi heqjen e barrierave ekonomike dhe tregtare ndërmjet nesh, nëpërmjet nismave konkrete ligjore.
Gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit Konjufca, Presidenti Meta nënvizoi nevojën imediate për konsensus politik të brendshëm dhe një platforme gjithëpërfshirëse për vijimin e dialogut me Serbinë, në bashkëpunim shumë më të ngushtë me partnerët tanë strategjikë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen europiane të rajonit.
Në këtë kuadër, Presidenti Meta dhe Kryeparlamentari Konjufca ndanë të njëjtin vlerësim për domosdoshmërinë e vijimit të Procesit të Berlinit, si nismë gjithëpërfshirëse, efikase dhe që ka dhënë rezultate konkrete, përkundrejt “Ballkanit të Hapur”, që rezulton një projekt përçarës dhe përjashtues.
Kreu i Shtetit theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që urojmë të ndodhë sa më parë.
Rruga Press