“Meta” po shqyrton mundësinë për të ndaluar dezinformimin rus
Kompania teknologjike Facebook Meta është duke shqyrtuar masa për të ndaluar dezinformimin e qeverisë ruse sa i përket luftës në Ukrainë, thuhet në raportin e publikuar të enjten nga kjo kompani.
“Ne po rishikojmë vazhdimisht politikat tona bazuar në situatën që po ndodhë në terren dhe po shqyrtojmë në mënyrë aktive hapat shtesë për të adresuar dezinformatat dhe mashtrimet që vijnë nga faqet e qeverisë ruse”, ka thënë presidenti i Metës për çështjet globale, Nick Clegg, raportoi Reuters.
Rusia ka luftuar me kompanitë e mëdha të teknologjisë për të kontrolluar rrjedhat e informacionit në internet pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, të cilin Moska e quan “operacion special ushtarak”.
Kremlini ka ndaluar Facebokun dhe Instagramin si dhe ka penguar Twitterin duke ngadalësuar shërbimet e tij.
Meta ka thënë se aktorë të lidhur me qeverinë nga Rusia dhe Bjellorusia janë përfshirë në spiunazh kibernetik dhe operacione të fshehta të ndikimit në internet, gjë që ka bërë që Meta të marrë vendim për të bllokuar mijëra llogari që kanë përdorur luftën në Ukrainë për të mashtruar përdoruesit në faqet e internetit.
Rruga Press