Mësuesit e rinj me mesatare 5.4, më pak se 50% e aplikuesve kalojnë provimin e shtetit
Ndërkohë që shumë shkolla po përballen e mungesën e mësuesve, këtë vit më pak se 50% e kandidatëve për arsimtarë kanë kaluar provimin e licencës. Nota mesatare e pjesëmarrësve në provim është 5.4, ndërsa me notën dhjetë dolën vetëm 3 kandidatë. Në këtë vit akademik, nga 2400 kuota pranimi në degët e mësuesisë, janë regjistruar rreth 1300 maturantë, ndërkohë që më pak interes kanë shkencat ekzakte.
Më pak se 50% e kandidatëve për t’u bërë mësues të rinj kanë arritur që të kalojnë provimin e licencës në mësuesi.
Nota mesatare e kandidatëve që e morën provimin është 5.43 ndërsa dhjeta është arritur vetëm prej dy kandidatëve nga gjuhë-letërsia dhe gjeografia.
Të dhënat e QSHA tregojnë se nga 1359 kandidatë, 559 i janë nënshtruar provimit për herë të parë.
Ndërsa në këtë vit akademik, nga 2400 kota pranimi, janë regjistruar rreth 1800 maturantë në të gjithë vendin.
“Ngelen në vlerat e viteve të kaluara që nga momenti që u fut nota mesatare për programet e mësuesisë. Në total kanë qenë rreth 2400 kuota, kështu që mund të themi janë realizuar mbi 75% e kuotave në degën e mësuesisë.”
Degët e mësuesisë që kanë më pak interes janë ato të shkencave ekzakte.
“Janë disa kombinime matematikë, fizikë domethënë shkencat natyrore të kombinuara ose shkencat letrare të kombinuara. Këto kombinime kanë rezultuar jo shumë pozitive dhe kanë pasur një numër të ulët regjistrimi.”
Ndërsa më të preferuarat janë gjuhët e huaja dhe degët e profilit social.
“Të preferuara nga maturantët ngelen degët e gjuhëve të huaja, ka gjithashtu interes në shkenca që lidhen me pjesën e psikologjisë ose shkencat sociale.”
Pranimi në një nga degët e mësuesisë ka si kriter mesataren mbi 8, ndërsa në disa universitete të rretheve, është dhënë alarmi për numrin e ulët të aplikimeve në këtë degë. Mungesa e mësuesve ka vënë në vështirësi disa shkolla në qytetet e mëdha të vendit të cilat nga fillimi i vitit kanë nisur përpjekjet për plotësimin e organikës me staf arsimor.
Rruga Press