Mërgata pritet që as këtë vit të mos paguajë sigurim kufitar. Ministria ia dërgon një propozim BKS-së
Mërgimtarët pritet që as sivjet të mos paguajnë për sigurimin kufitar. Propozimi për marrëveshje të re veçse i ka shkuar Byrosë Kosovare të Sigurimeve nga Ministria e Financave dhe tani janë në diskutime për draftin e marrëveshjes.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i BKS-së, Sami Mazreku.
Sipas Mazrekut, sivjet procedura do të lehtësohet edhe më shumë meqë nëse arrihet marrëveshja, mërgimtarët s’do të paguajnë fare në kufi, e jo sikur vitin e kaluar kur fillimisht paguanin policën e pastaj duhej të aplikonin për rimbursim nga Ministria e Financave.
“Kemi marrë një propozim prapë prej Ministrisë së Financave për me lidh marrëveshje. Ne jemi duke diskutuar brena BQK-së, brenda BKS-së edhe Ministrisë së Financave se qysh ka me qenë marrëveshja e re mes neve dhe Qeverisë. Qeveria pra ka bërë kërkesë te BKS-ja për marrëveshje të re dhe për momentin jemi në diskutime se çfarë formati do të jetë drafti i marrëveshjes, kur fillon implementimi, me çfarë date. Çka është kërkesa është që bashkatdhetarët, normal për dy kategori vetura dhe pasagjerë, veç me marr policën edhe me ec, mos me u marr me pagesa”, ka thënë Mazreku
Një marrëveshje e njëjtë ishte bërë edhe në vitin 2020 dhe 2021.
“Nëse bëhet marrëveshja, mërgimtarët nuk kanë nevojë me pagu, veç kanë me hy në kufi e me ec. Marrëveshja pritet të jetë sikur ajo që ka qenë në vitin 2020 dhe 2021”, ka thënë Mazreku.
Ndryshe, meqë nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, sigurimi i veturave që lëshohet në Kosovë, nuk vlen për vendet tjera. Po ashtu, veturat që hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë sigurim shtesë, pavarësisht nëse kanë ose jo Kartonin e Gjelbër.
Tarifa e sigurimit që paguhet në kufi, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura me tabela të huaja, duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove. Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe kamionë mbi një ton.
Rruga Press