KryesoreLajme

Meloni në siklet/ “Financial Times”: E ardhmja e kampit në Gjadër është edhe më e pasigurt

Agjencitë më të mëdha të shtypit i kanë kushtuar mjaft vëmendje vendimit të gjykatës së Romës që sanksionoi dërgimin në Itali të 7 emigrantëve që po mbaheshin në kampin e Gjadrit. “Gjykata italiane refuzon për herë të dytë kampet e emigrantëve të Melonit në Shqipëri” – shkruan gazeta britanike “Financial Times” që shton se “gjykatësi italian i kërkoi gjithashtu gjykatës më të lartë të BE-së të vlerësojë ligjshmërinë e programit”. Lapsi.al e sjell më poshtë të plotë.

Një gjykatë italiane e imigracionit refuzoi vendimin e fundit të Giorgia Melonit për të burgosur në Shqipëri azilkërkuesit që kërkojnë Evropën, dhe e referoi iniciativën historike të kryeministres italiane në gjykatën më të lartë të BE-së.

Gjykatësi vendosi që 7 burra nga Bangladeshi dhe Egjipti të sjellë në Shqipëri nga një anije luftarake italiane të premten, duhet të dërgohen në Itali dhe nuk mund të mbahen të ndaluar në vendin e Ballkanit Perëndimor teksa presin vendimin për kërkesën e tyre për azil.

Gjykata italiane i kërkoi gjithashtu Gjykatës Evropiane të Drejtësisë që të vlerësonte ligjshmërinë e programit në përgjithësi, veçanërisht nëse përcaktimi i fundit i qeverisë së Romës për 19 vende si “të sigurta” për kthime të shpejta është në përputhje me ligjin e BE-së.

Vendimi rrit pasigurinë për të ardhmen e planit të diskutueshëm të Melonit për të penguar përpjekjet e njerëzve për të arritur në Evropë nga përtej Mesdheut me kërcënimin se ata mund të ndaloheshin në Shqipëri përpara se të ktheheshin shpejt në shtëpi.

Pikëpyetjet në lidhje me realizueshmërinë e nismës u ngritën që muajin e kaluar, kur grupi i parë prej 16 emigrantësh që u dërguan në qendrat e drejtuara nga italianët në Shqipëri, u desh të transportoheshin të gjithë në Itali brenda disa ditësh, për shkak të moshës së tyre, shëndetit të dobët dhe një vendimi të gjykatës që refuzon paraburgimin e tyre.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Në përgjigje të vendimit të së hënës, zëvendëskryeministri Matteo Salvini deklaroi se vendimi i gjykatës nuk ishte “kundër qeverisë, por kundër popullit italian dhe sigurisë së tij”.

Meloni nuk ka bërë ende ndonjë koment.

Rezultati i çështjes mund të ketë pasoja edhe përtej Italisë. Kryeministri britanik Sir Keir Starmer, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe liderë të tjerë evropianë e shohin të gjithë iniciativën e Melonit si një model të mundshëm për t’u përballur me krizat e tyre, pasi ata po luftojnë me flukset e parregullta të emigrantëve në ekonomitë e tyre.

Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama njoftuan vitin e kaluar se kishin arritur një marrëveshje për të mbajtur deri në 3000 emigrantë të parregullt të shpëtuar nga Mesdheu në dy qendra mbajtjeje në Shqipëri, gjatë një procedure të përshpejtuar të kërkesës për azil. Skema u krijua duke tentuar të pajtohej me ligjin ndërkombëtar të refugjatëve dhe të shmangte grackat që minuan marrëveshjen e trazuar të emigracionit të Mbretërisë së Bashkuar në Ruanda.

Vetëm burra të shëndetshëm, të rritur nga vendet që Roma i konsideron “të sigurta” për kthim do të çoheshin në Shqipëri dhe pretendimet e tyre do të shqyrtoheshin nga autoritetet italiane. Ata, kërkesat e të cilëve për azil konsideroheshin të vërteta, do të lejoheshin të shkonin në Itali. Por qeveria e Melonit dhe gjyqtarët italianë janë përplasur rreth përcaktimit të vendeve të ndryshme (përfshirë Bangladeshin dhe Egjiptin) si mjaftueshëm “të sigurt” që qytetarët e tyre të ndalohen teksa kërkesat e tyre për azil shqyrtohen.

Meloni ka argumentuar publikisht se janë qeveritë dhe jo gjyqtarët që duhet të kenë autoritetin për të vendosur se cilat vende janë “të sigurta”. Megjithatë, gjykata italiane vuri në dukje të hënën se “kriteret për përcaktimin e një shteti si një vend i sigurt i origjinës përcaktohen nga ligji i BE-së” dhe tha se gjyqtarët duhet “gjithmonë dhe konkretisht të verifikojnë” nëse vendimet e qeverive kombëtare janë një “zbatim i saktë” i ligjit të BE-së.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Meloni, e cila erdhi në pushtet duke u zotuar të frenojë flukset e parregullta të emigrantëve në Itali shpresonte të qarkullonte deri në 36 mijë emigrantë çdo vit në qendrat shqiptare, me një kosto të vlerësuar prej 800 milionë eurosh gjatë 5 viteve, për të lehtësuar presionin në qendrat e pritjes së emigrantëve në Itali dhe të pengonte njerëzit të ndërmerrnin kalimin e rrezikshëm të Mesdheut nga Afrika e Veriut.

Por shumë kritikë e shohin këtë skemë si jo më shumë sesa një pjesë e kushtueshme të teatrit politik për të demonstruar përkushtimin e Melonit për të luftuar emigracionin e parregullt, ndërkohë që flukset e emigrantëve mbeten të larta.

“Janë tepër të shtrenjta. Qendrat i kanë kushtuar vendit një shumë të madhe vetëm për t’u ngritur. Por kjo është një mënyrë për t’i treguar elektoratit të krahut të djathtë se po bën diçka” – tha Daniele Albertazzi, një ekspert i politikës italiane në Universitetin e Surrey.
Teksa vendimi i fundit është një siklet, Albertazzi thotë se Meloni ndoshta do ta kthente në avantazhin e saj refuzimin e nismës së Shqipërisë nga gjykata, duke e portretizuar iniciativën e saj si viktimë e një sistemi gjyqësor shumë të politizuar.

“Ajo mund të thotë: “Unë po bëj më të mirën, por për shkak se gjyqtarët janë të majtë, ne kemi një betejë në duart tona”. Kjo do ta lejojë atë të luajë rolin e viktimës dhe të thotë se elitat e zakonshme po i ndalojnë njerëzit të kenë atë që duan” – tha ai.

Rruga Press

YouTube player