Lajme

​Mehaj: Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO

Me ceremoni është bërë transferimi i autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes, ku gjeneral brigade Jörg Rüter i ka dorëzuar detyrat eprorit të ardhshëm të NALT-it, gjeneralit Joachim Hoppe.

Ata kanë vlerësuar lartë profesionalizmin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë zotuar për bashkëpunim të mëtejmë. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Ekipit këshillues të NATO-s Mehaj u ka thënë se kanë krijuar një vend të veçantë në shtetin e Kosovës duke theksuar se ky shtet është edhe shtëpia e tyre.

“Krahas mbështetjes individuale të vendeve partnere të NATO-s përkrahja përmes NATO-s dhe Ekipit Këshillues Ndërlidhës ka rëndësi të veçantë edhe sot. Synimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi në NATO sepse i ndajmë vlerat e njëjta, mendimet e njëjta demokratike. Prioriteti ynë është të ngrejmë kapacitetet operacionale sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Mehaj.

Lexo më shumë  Ambasadori i Kosovës në Gjermani, ka njoftuar se mërgimtarët, që deri më tani janë regjistruar në vendet gjermane si shtetas të Serbisë, mund ta ndërrojnë tani këtë

E në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ka folur Ariella Viehe, shefe e Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s.

Ajo ka thënë se ekipi shumëkombësh i NALT-it përfaqëson më mirën e asaj se çka ofron aleanca.

“NATO mbetet i përkushtuar për një Kosovë të sigurtë dhe paqësore, faleminderit që na keni mundësuar ta bëjmë këtë ditë të mundshme dhe për gjithë punën që e bëni në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ekipi do të vazhdojë procesin e këshilldhënies në rastet kur Kosova vlerëson që është e nevojshme mbështetja e NATO-s.

Drejtori i deritanishëm i NALT-it, gjeneral brigade Jörg Rüter i cili për 12 muaj e ka udhëhequr këtë ekip, ka thënë se i ka lënë mbresa profesionalizmi i pjesëtarëve të Forcës.

“Gjeneral Jashari faleminderit juve dhe FSK-së për besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Gjate vizitave te mija në FSK jam impresionuar nga profesionalizmi dhe entuziazmi i pjesëtarëve të FSK-së. Kemi punuar për një FSK profesionale që përfaqëson të gjitha komunitetet dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  NATO publikon deklaratën me mesazhet kryesore të Rutte në Prishtinë e Sarajevë: Rikonfirmohet angazhimi për stabilitet në rajon

Për shërbimin e tij të shkëlqyer në Kosovë atij i janë ndarë edhe mirënjohje nga ministri dhe komandanti i FSK-së.

Ndërsa pasardhësi i tij, gjenerali Joachim Hoppe ka dashur të jetë fjalë pak në ceremoninë e marrjes së detyrave. Ai ka thënë se fokusi kryesor duhet të jetë të drejtori i cili po largohet që sipas tij ka bërë punë të madhe.

“Synimi ynë mbetet i pandryshuar, të këshillojmë dhe motivojmë zhvillimin sa më të mirë të organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të promovojmë zhvillimin e institucioneve të sigurisë brenda mandatit të dhënë”, ka thënë ai.

Ekipi i NALT-it brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka mision këshillues dhe ndërlidhës dhe numëron 40 pjesëtarë nga 16 shtete partnere.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *