Art & Kulturë

Mediumi Variety: “Zgjoi” në mesin e të nominuarve për “Oscars”

Kanë filluar të publikohen parashikimet e para sa i përket prestigjiozes “Academy Awards”. Mediumi i njohur amerikan “Variety” është ndër të parët që ka publikuar listën e filmave që sipas tyre do të jenë në mesin e të nominuarve për çmimin “Oscar”. Në pesëshen e kategorisë për filmin më të mirë ndërkombëtar është edhe “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit.

“Variety” ka theksuar se nominimi i “Zgjoit” do të bënte që Kosova për herë të parë të ketë një film të nominuar në Akademinë Amerikane.

Një dekadë më parë regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierën në “Sundance Film Festival”. Guximi për të ëndërruar u shpërblye në edicionin e sivjetmë, më të madhit festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty, “Zgjoi” doli i stolisur me tri trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të audiencës dhe Çmimin për regjinë.

Premiera kombëtare erdhi me lajmin se është kandidati i Kosovës për nominim në “Oscarin” e Evropës. E më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”.

Më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar, kurse më 27 mars do të mbahet ceremonia kryesore./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *