Mediat e lajmeve hibride në Kosovë shpikën takim, Gazeta zvicerane NZZ sqaron: Bislimi dhe Gjuriq nuk janë takuar, as fshehurazi e as zyrtarisht
Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) ka bërë një sqarim në artikullin e saj lidhur me takimet e zhvilluara në Zvicër mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, nuk janë takuar as fshehurazi, as zyrtarisht, as drejtpërdrejt.
Pas raportimeve në disa media ku u përmendën takime “familjare” apo “sekrete”, NZZ ka shtuar sot një pjesë sqaruese në tekst, që konfirmon se Bislimi dhe Gjuriq nuk janë takuar mes tyre.

Në reagimin e këshilltarit të Bislimit, Klinsman Kadiu, sqarohet se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk zhvillohet vetëm nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por përfshin edhe vende partnere dhe mike, si Zvicra, e cila përmes Departamentit Federal për Punë të Jashtme organizon prej më shumë se 10 vitesh takime të rregullta me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe përfaqësues qeveritarë nga të dyja vendet, në bashkëpunim me organizatën amerikane CIG.
Ai ka theksuar se këto takime nuk janë të fshehta, siç janë portretizuar në disa portale, dhe se zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në dialog, nuk ka pasur asnjë takim të fshehtë dhe asnjë takim fare me Marko Gjuriqin. Sipas tij, në njërin nga takimet në Zvicër, Bislimi ka qenë i ftuar si folës, ndërsa Gjuriqi nuk ka qenë pjesëmarrës në atë aktivitet.
Kadiu ka theksuar se disa media po bëjnë manipulim, deformim dhe keqinterpretim të qëllimshëm të artikullit të NZZ-së, duke theksuar se gazeta zvicerane nuk ka raportuar kurrë për ndonjë takim mes Bislimit dhe Gjuriqit, as në dhjetor e as në ndonjë periudhë tjetër. Sipas tij, NZZ vetëm i ka përmendur të dy si emra që kanë qenë ndër pjesëmarrësit e takimeve të organizuara, por jo se kanë qenë prezent në të njëjtin takim apo se janë takuar bashkë.
Ai po ashtu ka rikujtuar se edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka konfirmuar se këto iniciativa nuk janë takime sekrete, duke u bërë thirrje mediave dhe analistëve që kanë raportuar ndryshe të redaktojnë publikimet e tyre dhe të kërkojnë falje për dezinformimin.
Sipas Kadiut, sqarimi i NZZ-së vetëm sa e përforcon faktin se nuk ka pasur asnjë takim, zyrtar apo joformal, mes Besnik Bislimit dhe Marko Gjuriqit, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre të ndarë në iniciativa ndërkombëtare për lehtësimin e dialogut.
Rruga Press

