Editorial

MEDIAT E KOSOVËS MBESIN PA ‘QUID PRO QUO’ NË TIRANË!

Shkruan Hana Mitrovica

Takimi i sotëm i Kyeministrit Kurti me Kancelaren Merkel në turneun e saj lamtumirës në Ballkan, i cili u përmbyll me qëndrimin e saj njëditor në Tiranë, u përcoll me shumë interesim nga opinioni i gjërë publik. Me të drejtë.

Ndër publikime dhe komentime të panumërt, me shkas, do të mund të veçonim edhe atë të Cim Pekës – figurë e njohur në botën e mediave, i cili reagoi ndaj neglizhimit të Kryeministrit Rama kundrejt gazetarëve të Kosovës, të cilët u ankuan se nuk po e merrnin dot të drejtën e fjalës për t’i bërë pyetje si Kancelares Merkel ashtu, supozohet, edhe Ramës.

Në lidhje me këtë, Cim Peka, ndër të tjera, në një status të tij në rrjete sociale shprehet thekshëm:

“Pasi sulmoi Kosovën edhe një herë! Konferenca për mediat e Ramës me kancelaren, u mbyll me protestën e ashpër të gazetarëve nga Kosova!

Rama gjeti dhe një herë rastin sot në prani të kancelares, të sulmonte Kosovën! Menjëherë pas kësaj, Rama mbylli konferencën nën protestat e ashpra të gazetarëve kosovarë, të cilëve nuk iua dha asnjë shanc për të bërë pyetje gjatë gjithë konferencës!”

Natyrisht, për metodat dhe meritat në lidhje me situatën e tillë (kush? si? e tek? bëri) në lidhje me konferencën e sotme për gazetarë, dhe anashkalimi i pyetjeve të gazetarëve nga Kosova, mbase do të diskutohet hollësishëm edhe në ditët në vijim.

Megjithatë, një momentum interesant u krijua gjithsesi. Ai, kur na shfaqet pyetja se: “a thua, si qe e mundur që një gjë e tillë t’u ndodhte gazetarëve të Kosovës (?)”

Mbase, kjo përvojë e gazetarëve do të jetë momenti i pikërishëm i cili do të bëjë që disa pjesëtarë të komunitetit mediatik të gazetarëve në Kosovë ta kuptojnë se:

sa e rëndësishme është të arrijnë konsensus të thellë dhe një lloj përbashkimi kolegial të dinjitetshëm mes vete, gjatë punës së përditshme, duke e orientuar punën dhe tërë energjinë në të mirën e përgjithshme mbarëqytetare, sidomos në raportime korrekte për ngjarjet në vend dhe jashtë. Pa intriga, mundësisht! E që, ato, fatkeqësisht janë vendosur tashmë pothuaj si norma dhe kode mediale në Kosovë. Nuk thonë kot se mediat janë kolona e IV e demokracisë.

Kjo vlen po ashtu edhe për krijimin dhe ndërtimin e një klime demokratike për të gjitha shtresat e shoqërisë, pa dallim. Përfshirë këtu punën e administratës publike, me qëllim të lehtësimit të mbarëvajtjes së proceseve esencialë të demokratizimit të institucioneve, lëre më në raport me fqinjët në regjion e me komunitetin ndërkombëtar. Me shpresë dhe përpjekje të plotëvetëdijshme që sa më parë t’u qasen raportimeve që ndërtojnë narrativën e drejtë ditore, dhe t’u shmangen skenarëve të SIMULUAR, për fat të keq tashmë të vendosur si standard në komunikimin e përditshëm mediatik. Kështu vetëm sa shkaktohet pezmi, irritimet dhe ndarjet e pariparueshme në opinionin publik, në baza ditore (shih vetëm disa nga debatet “politike” mbrëmjeve tek TV-të në Kosovë; t’i quash çjerrje dhe ulurima, do të ishte thjesht eufemizëm!)

Ani se, besojmë, tani zgjimi i qytetarëve në Kosovë është edhe më real sesa duket në shikim të parë (shih rezultatin zgjedhor 14/2/2021) dhe me krejt pak sforcime modeste, megjithate masat e gjëra po arrijnë t’u shmangen, t’i amortizojnë dhe t’iu ikin lloj-lloj manipulimeve të simuluara mediatike në përgjithësi, edhe dezinformatave, në veçanti. Nuk duhet nënvlerësuar interesimin qytetar plot zgjuarsi në lidhje me ndodhitë e përditshme politike, sociale,
ekonomike, etj. A do ta falenderojmë subjektin e parë politik në Kosovë që krijoi një shprehi të tillë tek qytetari në Republikën e Kosovës? Pse jo!

E njëjta vlen edhe për krijimin e klimës së volitshme dhe të favorshme për shtetin, në kohën kur Republika e Kosovës po rifillon një prej proceseve më sfiduese në historinë e saj më të re: dialogun me armikun e saj të përbetuar – Serbinë e cila vetëm konfrontimin me Kosovën nuk e ka ndalur as edhe për një çast!

Ndaj, në të drejtën e plotë, do të mund ta citonim Kryeministrin Kurti kur i drejtohet opinionit edhe lokal e regjional, edhe atij ndërkombëtar, por, mbi të gjitha atij mbarëshqiptarë kur thotë:

“Bëjnë gabim ata që tentojnë të ndërtojnë një trysni mbi Kosovën. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë, e cila i mohon krimet dhe e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Serbia duhet të jetë nën trysni. Presioni duhet të jetë mbi Serbinë. Unë besoj që kjo është detyrë e secilit shqiptar.”

Ndërsa, kësaj deklarate do të mund t’i shtonim edhe fjalinë më të thjeshtë :
DUKE FILLUAR NGA MEDIAT DHE RECIPROCITETI MEDIATIK NË KOSOVË!

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *