Media britanike tallen me Ramën: ‘Profesori’ i jep mend Britanisë
Edi Rama, me stilin e tij të zakonshëm arrogant, zgjodhi ta kthejë vizitën e tij në Britani në një shfaqje fjalësh thumbuese e vetëlavdërimi. Duke mbajtur tonin e një “profesori” që mban leksione për moral e politikë, ai kritikoi Brexit-in dhe liderët britanikë sikur të ishte një analist ndërkombëtar, jo një kryeministër që udhëheq një vend me probleme të mëdha korrupsioni, emigracioni dhe varfërie. Ndërsa përpiqej të fitonte duartrokitje me batuta për Suella Braverman-in dhe Nigel Farage-in, Rama harroi se janë pikërisht dështimet e qeverisë së tij që kanë shtyrë mijëra shqiptarë të kërkojnë një jetë më të mirë në vendet që ai tani kritikon. Në vend që të shfrytëzojë skenën për të forcuar imazhin e Shqipërisë me dinjitet dhe seriozitet, ai preferoi të luajë rolin e moralistit që flet nga lart, duke i dhënë “mësime” botës, ndërkohë që vendi i tij përballet me kriza të pazgjidhura.
Ky është një artikull i gazetës Daily Mirror lidhur me vizitën e Ramës në Britani:
Kryeministri shqiptar Edi Rama u tha atyre që kritikojnë njerëzit nga vendi i tij të “qepin gojën”, duke tallur ashpër ish-sekretaren e Brendshme konservatore Suella Braverman. Ai lavdëroi qeverinë laburiste për përparimet e bëra në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, duke e krahasuar këtë me “poezinë e opozitës”.
Rama ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar për një samit që do të trajtojë çështjen e trafikimit përmes Ballkanit. Ai tha se bashkëpunimi për krimin e organizuar dhe emigracionin e paligjshëm po funksionon “në mënyrë fantastike”, duke shtuar: “Jo vetëm që ka funksionuar në mënyrë fantastike, por ka funksionuar në një mënyrë që unë besoj se është e qëndrueshme…
“Është një përballje sistematike me këtë sëmundje të rrjeteve të trafikimit.” Dhe, në një referencë thumbuese ndaj zotit Farage, ai tha: “Nuk na takon ne të vendosim se kush do të zgjidhet dhe kush jo në Britani. Por në fund të ditës kemi parë më shumë se një herë që puna e qeverisë është diçka krejt tjetër nga poezia e opozitës. Kështu që unë nuk shoh ndonjë problem kur bëhet fjalë për bashkëpunim me këdo. Dhe, në fund, besoj se Farage nuk është problemi, Farage është pasqyra e problemeve që ka një aftësi teatrale për të qenë tërheqës, por problemet janë diku tjetër.”
Duke folur për kalimet me varka të vogla, Rama tha para audiencës në Chatham House: “Disa i quajnë varka të vogla, disa i quajnë varka të Brexit-it. Dhe dikush mund të pyesë veten pse dolët nga Europa. Dolët nga Europa sepse donit më pak varka, dhe tani keni më shumë varka. Dolët nga Europa sepse donit më shumë investime dhe tani keni më pak investime. Dolët nga Europa sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni të dëshpëruar.”
Ai shtoi se emigrantët janë bërë “dordolecët” e Brexit-it. Rama tha se ishte ende i zemëruar me ish-sekretaren e Brendshme Suella Braverman për deklaratat e saj në vitin 2023 ku përmendi “kriminelët shqiptarë”.
“Meqë ra fjala, ku është ajo?” tha ai me ironi. Dhe shtoi: “Vetëm mbajeni mend, mos u ngatërroni me shqiptarët, sepse nëse shqiptarët ju mallkojnë, thjesht zhdukesh.”
Ai u bëri thirrje politikanëve britanikë “të mos përmendin shqiptarët për çdo gjë, përveç arsyeve shumë të mira”. Ai tha: “Tani ata po japin energji, po ofrojnë shërbime, po punojnë fort, janë krenarë që janë pjesë e këtij komuniteti të madh njerëzish, të kësaj shoqërie të larmishme. Dhe kushdo që i prek ata duhet të qepë gojën.” / Daily Mirror
Rruga Press

