Lajme

Më pak stimul monetar, mbështetja me likuiditet nga banka qendrore zbret në nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë

Mbështetja e Bankës së Shqipërisë me likuiditet për bankat tregtare në fund të muajit shkurt arriti nivelin më të ulët të dy viteve të fundit.

Statistikat tregojnë se vlera e huasë së dhënë nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO) zbriti në 28.3 miliardë lekë, në rënie për të tretin muaj radhazi. Kjo është vlera më e ulët e këtij treguesi që prej shkurtit 2020, para fillimit të pandemisë.

Me shpërthimin e pandemisë, në muajin mars 2020, Banka e Shqipërisë, përveçse uli normën e interesit të REPO-ve njëjavore në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndryshoi edhe formën e marrëveshjeve, nga ankand me shumë të fiksuar në ankand me çmim uniform. Ndryshimi i formës së ankandit u bë me qëllim për t’iu siguruar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Kjo lëvizje ndikoi në rritjen e përdorimit nga ana e bankave tregtare të instrumenteve afatshkurtra të likuiditetit të bankës qendrore.

Por, që prej fillimit të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka rikthyer formën e mëparshme të ankandeve, me çmim uniform. Ky vendim u mor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit të kaluar dhe përfaqëson hapin e parë në drejtim të tërheqjes graduale të stimulit monetar. Vendimmarrja erdhi pas sinjaleve të forta të inflacionit që u shfaqën në ekonominë europiane në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe që filluan të reflektoheshin edhe në nivelet e inflacionit në Shqipëri.

Lexo më shumë  Sondazhi i fundit i UBO’s: VV-ja vazhdon bindshëm e para me 49.6 %, PDK e dyta, vazhdon rënia e LDK-së

Paralelisht, Banka e Shqipërisë prej disa muajsh ka paralajmëruar një nisje të afërt të normalizimit të normave të interesit, që nënkupton një rritje të tyre për t’i çuar më pranë nivelit të ekuilibrit. Deri tani, një lëvizje e tillë nuk është ndërmarrë ende, megjithëse inflacioni ka arritur në 3.9%, në muajin shkurt të këtij viti. Mbledhja e ardhshme e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet më datë 23 mars.

Huamarrja e bankave në Bankën e Shqipërisë zakonisht kryhet nëpërmjet instrumentit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes, ndërsa instrumentet e tjera, si, për shembull, kredia njëditore, kanë një përdorim më të rrallë.

Lexo më shumë  Qeveria i kundërpërgjigjet BE-së: Raportin për Banjskën e kemi dorëzuar qysh në vitin e kaluar

Sektori bankar shqiptar në tërësi është mjaft likuid sepse vetëm një pakicë e depozitave dhe detyrimeve të tjera janë dhënë kredi. Por, huamarrja nga banka qendrore mbulon nevojat afatshkurtra për likuiditet. Shpesh, rritja e vlerës së REPO-ve lidhet me datat e zhvillimit të ankandeve të bonove apo obligacioneve nga Ministria e Financave.

Për shkak të mospërputhjes ditore mes maturimit të instrumenteve ekzistues dhe instrumenteve të reja që emetohen, bankat mund ta mbushin boshllëkun disa ditor që krijohet në likuiditetin e tyre nëpërmjet huamarrjes nga Banka e Shqipërisë.

Edhe për këtë arsye, mund të pritej që reduktimi i stimulit monetar nga banka qendrore të jepte një lloj efekti në rënien e kërkesës dhe në rritjen e yield-eve për instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Por, në fakt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe yield-et janë shfaqur të qëndrueshme edhe gjatë dy muajve të parë të këtij viti. /E.Shehu

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *