Me kërkesë të Biden, Izraeli do të lejojë futjen e ndihmave në Gazën e rrethuar
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të mërkurën se do ta lejojë futjen e ndihmave humanitare në Rripin e rrethuar të Gazës përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin.
Ky vendim, sipas Qeverisë izraelite, u mor pas kërkesës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili e vizitoi të mërkurën Izraelin për ta ritheksuar mbështetjen amerikane për të pas sulmit nga grupi militant Hamas më 7 tetor.
Në një komunikatë për media, ajo tha se “ne nuk do ta pengojmë” furnizimin me ushqim, ujë dhe barna, përderisa furnizimet nuk arrijnë në duart e Hamasit.
Në komunikatë nuk u përmend fare karburanti, i cili është tejet i nevojshëm për këtë enklavë.
Nuk është e qartë se kur do të fillojë dërgimi i ndihmave humanitare në Gazë.
Pikëkalimi i Gazës me Egjiptin, Rafah, ka kapacitete të kufizuara dhe Egjipti ka thënë se ai është dëmtuar nga sulmet ajrore izraelite.
Paraprakisht, Biden tha se Izraeli është pajtuar t’i lejojë ndihmat humanitare në enklavën e varfëruar, madje edhe derisa është duke e bombarduar atë si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në Izrael.
“Izraeli është pajtuar që ndihmat humanitare të fillojnë të futen nga Egjipti në Gaza”, tha Biden gjatë vizitës në Izrael.
Rruga Press