BotaKryesore

Me arrestimet e kryetarëve të bashkive, Erdogani po përpiqet të ndalojë opozitën

Opozita kryesore CHP mbetet sfiduese ndërsa kryetarët e saj të bashkive arrestohen për korrupsion të pretenduar dhe kreu i partisë, Ozgur Ozel, përballet me sfida ligjore për qëndrimin e tij të ashpër ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Nga Hamdi Fırat Buyuk, BIRN

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka nisur një tjetër ofensivë ndaj bashkive që drejtohen nga kryetarë të bashkive të Partisë Popullore Republikane (CHP), partia kryesore opozitare.

Kryetarët e bashkive të Antalias, Adijamanit dhe Adanas u arrestuan më 8 korrik si pjesë e hetimeve për korrupsion. Kryetari i bashkisë së Antalias, Muhittin Bocek, u shkarkua nga detyra po atë ditë; ndërkohë, pritet që edhe kryetari i Adijamanit, Abdurrahman Tutdere, dhe ai i Adanas, Zeydan Karalar, të shkarkohen nga ministria e Brendshme. Aktualisht, gjithsej 17 kryetarë bashkish nga radhët e CHP-së ndodhen në burg ose në arrest shtëpiak.

Sipas vëzhguesve, këto lëvizje synojnë të ndalojnë rritjen e mbështetjes për CHP-në pas fitores dërrmuese në zgjedhjet lokale të vitit 2024 kundër Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) të presidentit Erdogan.

“Operacionet e fundit kundër CHP-së po realizohen si pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një Turqi pa opozitë”, tha për BIRN gazetarja dhe politologia nga Stambolli, Sezin Oney.

Kushtetuta e re në përgatitje

Sipas Sezin Oney, presidenti Erdogan synon të mbajë pushtetin duke miratuar një kushtetutë të re.

“Është bërë e qartë se dhënia përparësi paqes para demokracisë nuk funksionon. Po hartohet një model përmes ndryshimeve kushtetuese që ose do të eliminojë zgjedhjet, ose do ta bëjë Erdoganin president përjetë”, parashikon Oney.

Procesi i fundit i paqes me kurdët shihet si pjesë e këtij plani. Më 12 maj, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) njoftoi shpërbërjen e saj, duke i dhënë fund efektivisht katër dekadave të kryengritjes së armatosur kundër shtetit turk.

Vendimi pasoi një thirrje nga themeluesi i burgosur i PKK-së, Abdullah Öcalan, për t’i dhënë fund luftës së armatosur për më shumë autonomi dhe të drejta për kurdët. Këtë javë pritet që PKK-ja të dorëzojë armët në një ceremoni të veçantë në Irak.

I fuqizuar nga marrëveshja me PKK-në dhe Partinë pro-kurde DEM, Erdogan tani mund të përpiqet të miratojë një reformë kushtetuese në parlament pa e çuar atë në referendum.

“Ai duhet ta kalojë këtë ndryshim kushtetues në parlament; nuk mund ta çojë tek populli sepse nuk do ta kalonte në një referendum. Qëllimi është të neutralizojë CHP-në, të eliminojë opozitën reale dhe ta miratojë ndryshimin përmes parlamentit”, thotë Oney.

Lexo më shumë  Trump tha se SHBA ka kapur Maduron, reagon Venezuela: Gati të mbrohemi

Oney thekson se CHP është partia themeluese e Republikës Turke, ndaj Erdogan nuk mund ta etiketojë atë si terroriste, siç ka bërë me parti të tjera politike.

“Ta etiketosh si terroriste është e vështirë — prandaj po e sulmojnë përmes akuzave për korrupsion”, shpjegon ajo.

Deri tani, fushata e goditjes së Erdoganit ka shënjestruar 17 bashki me akuza për korrupsion, përfshirë edhe Stambollin, qytetin më të madh të vendit. Gjithashtu, 14 kryetarë bashkish, përfshirë kryebashkiakun e Stambollit dhe kandidatin presidencial Ekrem Imamoglu, janë arrestuar.

Megjithatë, publiku mbetet i pa bindur nga pretendimet për korrupsion, sipas vëzhguesve dhe sondazheve.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga PanoramaTR, 57 për qind e qytetarëve besojnë se arrestimet e fundit janë bërë “për të ushtruar presion politik ndaj opozitës”. Vetëm 35 për qind e publikut mendojnë se pretendimet për korrupsion janë të besueshme.

“Ironikisht, AKP-ja është partia që lidhet gjerësisht me korrupsionin në perceptimin publik. Ky imazh tashmë është e ngulitur fort. Prandaj, demonizimi i CHP-së mbi këtë bazë është jashtëzakonisht i vështirë”, thotë Sezin Oney.

Sondazhet tregojnë se CHP-ja do të ishte fituese e zgjedhjeve të ardhshme, të planifikuara deri në vitin 2028.

Sipas kompanisë së hulumtimeve SONAR, CHP kryeson me 36.2 për qind të votave totale (11 pikë përqindje më shumë se në zgjedhjet e përgjithshme të 2023), ndërsa AKP-ja e Erdoganit ka mbështetjen e vetëm 30.9 për qind të votuesve (5 pikë përqindje më pak se në 2023).

CHP vazhdon protestat

Presidenti Erdogan i ka bërë thirrje liderit të CHP-së, Ozgur Ozel, që të ndalojë protestat kundër qeverisë.

“Partia kryesore opozitare duhet të rimblidhet shpejt, të caktojë një kurs të qartë dhe të bëjë politikë me një fokus të fortë në Ankara”, tha Erdogan gjatë një fjalimi publik më 2 korrik, duke i bërë thirrje indirekte Ozel-it që të ndalojë fushatën për lirimin e figurave të arrestuara të CHP-së.

Por Ozel nuk tregon asnjë shenjë të tërheqjes, duke i quajtur lëvizjet e Erdoganit “inxhinieri politike”.

“Presidenti po më thotë: ‘Harroje Ekrem Imamoglun, mos dil në rrugë, hajde në Ankara, ulu në selinë e partisë sate.’ Ky është një kërcënim i qartë. Si mund t’ia kthej shpinën Ekrem Imamoglut?” tha Ozel.

Lexo më shumë  Venezuela e konfirmon: Forcat amerikane kapën Maduron dhe gruan e tij

Oney parashikon se Ozel do të vazhdojë të bëjë fushatë në të gjithë vendin kundër arrestimeve.

“Është bërë e qartë brenda CHP-së se nëse ata nuk vazhdojnë përpara, secili prej tyre mund të shndërrohet në një shënjestër. Ata e kanë të qartë tashmë këtë”, thotë Oney. “Ozel po mban gjallë rezistencën ndaj Erdoganit”, shton ai.

Onur Alp Yilmaz, drejtori i BUPAR Research, i tha BIRN-it se Erdogan po ndjek rrugën e presidentit rus Vladimir Putin.
“Ne kemi arritur në fazën përfundimtare të vendosjes së një regjimi në stilin e Putinit. Putini është një lider që i zgjedh vetë kundërshtarët e tij. Ajo që po i thuhet Ozel-it në thelb është kjo: ‘Ose më kundërshton në mënyrën që unë lejoj, ose do të gjej dikë që do të luajë rolin e opozitës ashtu siç dua unë’,” thotë Yilmaz.

Një nga mënyrat për ta arritur këtë mund të jetë çështja gjyqësore në vazhdim kundër kongresit të përgjithshëm të CHP-së për gjoja mashtrim në votime, që mund të çojë në anulimin e udhëheqjes së Ozel-it dhe rikthimin e kryetarit të mëparshëm Kemal Kılıçdaroglu, i cili ka humbur disa zgjedhje ndaj Erdoganit. Kılıçdaroglu ka njoftuar se është gati të rikthehet si lider, nëse gjykata anulon kongresin e partisë.

“Përmes gjithë kësaj, ata po përpiqen ta kthejnë CHP-në në një karikaturë dhe të gërryejnë mbështetjen e saj zgjedhore. Dhe kur kjo nuk funksionon, fusin në lojë sistemin gjyqësor. Të njëjtën gjë e pamë me Imamoglun. Regjimi i Erdoganit është shumë këmbëngulës dhe serioz për këtë strategji”, thotë Yilmaz.

Një tjetër mjet mund të jetë ndjekja penale ndaj vetë Ozel-it. Më 8 korrik, zyra e prokurorit të përgjithshëm në Ankara hapi një hetim ndaj Ozel-it për akuzat për “fyerje ndaj presidentit, nxitje të hapur për të kryer krim dhe kërcënim të zyrtarëve publikë”. Një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Ozel-it u paraqit gjithashtu në zyrën e kryetarit të parlamentit më 2 korrik.

“Ozel po sfidon Erdoganin. Ai e shikon qartë drejtimin që po merr Turqia dhe kjo është arsyeja pse po e ngre zërin”, thotë Yilmaz.

“Po shkojmë drejt një pike ku zgjedhjet bëhen thjesht aktivitete të së dielës — diçka që ndodh, po, por që nuk ka më pasoja reale, pasi ata që i kundërvihen regjimit eliminohen sistematikisht”, argumenton Yilmaz.

Rruga Press

YouTube player