Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në veri të Mitrovicës
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje të tjera për mbylljen e një objekti në veri të Mitrovicës të enjten, duke thënë se aty ushtronte veprimtarinë një institucion paralel i Serbisë.
Ky institucion ka grumbulluar jashtëligjshëm pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë gjoja nën menaxhimin e tyre.
“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar se bëhet fjalë për mbylljen e dy ndërmarrjeve publike, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut – Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore.
Edhe më herët gjatë këtij viti, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksione të ndryshme për mbylljen e institucioneve paralele nëpër komunat me shumicë serbe.
Policia e Kosovës të enjten ka njoftuar se i ka vendosur shiritin një objekti në veri të Mitrovicës ku dyshohet se ushtronte veprimtarinë një institucion ilegal.
Zëdhënësi i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka bërë të ditur se paraditen e sotme kanë asistuar zyrtarët e Komunës nëe veri të Mitrovicës në lidhje me verifikimin e një prone në vendin e njohur si “Tre Rrokaqiejt”.
“Në momentin e hyrjes në këtë objekt (kati i parë i ndërtesës), Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal”, ka thënë Elshani.
Pas verifikimit të disa dokumenteve, Policia ka njoftuar Prokurorinë e Mitrovicës dhe është hapur rasti “Falsifikim i Dokumenteve”.
“Punëtorët janë leju me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat”, ka shtuar ai.
Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa Policia do të verifikojë dokumentacionin që gjendet aty në detaje. Gjatë këtij veprimi policor, nuk ka pas ndonjë incident.
Rruga Press